Një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares tonë që luan në nivel të lartë në Itali është mbrojtësi Marash Kumbulla. Ai ka pasur një karrierë në ngjitje të vazhdueshme dhe aktualisht është pjesë e Romës. Edhe pse trajneri Hoze Murinjo nuk e ka preferuar shumë, Kumbulla ua ka mbyllur gojën të gjithëve me punë dhe heshtje. Por në ndeshjen e fundit të Romës me Sasuolon, shqiptari kreu një gjest antisportiv dhe doli nga fusha i ndëshkuar me karton të kuq. Kjo që ndodhi ka qenë edhe pjesë e penaliteteve që ka dhënë federata italiane e konkretisht komisioni i etikës. Pra, Marash Kumbulla u ndëshkua me karton të kuq në takimin Roma-Sasuolo (3-4). Ishin minutat shtesë të pjesës së parë kur qendërmbrojtësi shqiptar humbi toruan. Ai goditi Berardin, i cili i kishte bërë të njëjtën gjë më parë Kumbullës. Kryesori Fabri akordoi penallti për Sasuolon dhe largoi me të kuq shqiptarin. “Ai më goditi i pari me shkelm dhe ti më tregon mua kartonin e kuq?!”, i tha Kumbulla arbitrit pas ndëshkimit. 23-vjeçari është pezulluar me dy ndeshje dhe është gjobitur me 5 mijë euro. Kumbulla nuk do të jetë i gatshëm për Murinjon për takimet e radhës në kampionat ndaj Lacios dhe Sampdorias.