Të gjithë ata lojtarë që kanë refuzuar të luajnë për Shqipërinë, duket se i ka zënë “mallkimi” dhe nuk kanë mundur të bëjnë hajër në karrierën e tyre qoftë në nivel klubesh ashtu dhe me ekipet përfaqësuese që kanë zgjedhur. Rasti më flagrant është ai i mesfushorit Adnan Januzaj, i cili u lut nga FSHF të vishte fanellën e Shqipërisë, madje trajneri De Biazi tentoi të bisedonte personalisht me të (foli me familjarët e tij), por ai refuzoi të luante për Shqipërinë dhe Kosovën, e në fund zgjodhi të luajë për Belgjikën. Por nga ai moment Januzaj thuajse i humbi të gjitha. lojtari që shihej si një nga më të talentuarit në Europë një dekadë më parë, është sot një futbollist që vuan për të gjetur skuadër ku të luajë. Mbi të gjitha, ai nuk do të parashikonte se karriera do ta dërgonte në Turqi dhe madje te skuadra Istanbul Bashakshehir. Megjithatë, kjo skuadër mund të jetë si ringjallje e karrierës për Januzajn, i cili po kërkon shkëlqimin e humbur. Në vitin 2014, kur të gjithë prisnin me padurim fillimin e Botërorit në Brazil, te Belgjika përflitej vetëm një emër – Adnan Januzaj. Ai vlerësohej si talenti më i madh belg. Januzaj ishte vetëm 18-vjeçar dhe po bënte bujë me paraqitjet e tij te Mançester Junajtid, i cili drejtohej nga trajneri David Moyes. Januzaj madje shënoi dy gola në debutimin e tij me ekipin e parë të Mançesterit dhe kjo bëri që analistët ta shohin si pasardhësin ideal të Rajan Gigsit dhe një fitues të ardhshëm të “Topit të Artë”. “Dikush me talentin e Adnanit duhet të ketë qenë gjithmonë titullar në një klub të madh në këtë moshë. Të japësh një shpjegim për këtë sigurisht që nuk është e lehtë. Ndonjëherë bëhet fjalë vetëm për kohën e mirë dhe fatin. Sepse kush mund ta imagjinonte se Sevilja do të duhej të luftonte për mbijetesë këtë sezon?”, tha ish-tekniku i Belgjikës, Mark Vimots.