Myrto Uzuni lider në La Liga 2, Armando Sadiku mund të kthehet në Kombëtare

0
120

Lojtarët e Kombëtares që do të ftohen nga trajneri brazilian Silvinjo në fund të muajit mars për ndeshjen ndaj Polonisë në transfertë, ende nuk janë zbuluar në një listë emrash. Në fakt, ka disa emra që janë mësuar e që lidhen me ftesat që u kanë shkuar klubeve, sikurse ndodhi me sulmuesin Taulant Seferi, ftesën për të cilin e zbuloi klubi i tij ukrainas. Por surpriza në listë do të ketë në ditët në vijim, pasi këtë gjë e pa paralajmëruar vetë trajneri. Në një bisedë që bëri së fundmi për mediat, ai tha se do të ketë edhe prurje të reja. mos ndoshta Armando Sadiku është një prej tyre. Në kushtet kur sulmi ka probleme serioze, të bazosh forcën vetëm me Taulant Seferin do të thotë se ke krizë goleadorësh. Por rikthimi i Sadikut bëhet i vërtetë kur mendon se Armando Broja është i dëmtuar, Rei Manaj gjithashtu, Cikalleshi është “i plakur” dhe në një kampionat të dorës së dytë në Arabi, kështu që ftesa për elbasanasin ngjall interes dhe duket e besueshme. Në fakt, Kategoria e Dytë spanjolle ka folur shqip këtë sezon, teksa Myrto Uzuni dhe Armando Sadiku kanë lënë shenjë deri tani dhe secili në mënyrën e vet.

 Uzuni kryegoleador i Ligës 2 të Spanjës

Shqiptari Myrto Uzuni është golashënuesi i kampionatit, teksa ka shënuar 18 gola deri tani dhe me kontributin e tij të madh po e dërgon Granadën drejt ngjitjes në La Liga. Ndërkohë Sadiku, i cili ka shënuar 8 gola me Kartagjenën, është sulmuesi më produktiv në ligë si zëvendësues, duke shënuar 5 gola pasi ka hyrë nga stoli. Një superformë ajo e Myrtos deri tani me Granadën. I bindur se ekipi i tij do të ngjitet aty ku ishte sezonin e kaluar, 27- vjeçari ka qenë i papërmbajtshëm, sidomos në shtëpi. Këtë e thonë edhe shifrat, teksa ka shënuar 18 gola dhe ka dhënë 3 asiste dhe ndjekësin më të afërt për çmimin e golashënuesit e ka 6 gola prapa. Beratasi do të jetë gjithashtu një pikë e rëndësishme për Silvinjon në ndeshjen me Poloninë, duke pasur parasysh formën që ai po kalon.

Armando Sadiku po rikthehet fuqishëm, do ftesë në Kombëtare

Spanjollja “AS” ka publikuar një artikull për sulmuesin shqiptar që kishte humbur rëndësinë në kohët e fundit. Edhe pse është golashënuesi më i mirë për Kartagjenën, sezoni për Armando Sadikun nuk ka qenë i lehtë. Shqiptari luftoi gjatë fazës së parë për një vend titullari me Ortunon, duke u alternuar në fushë dhe kjo solli edhe një rënie të lojës dhe rezultateve të skuadrës. Përveç anës së shënimit të golave, në merkaton e janarit u përfol për një largim të mundshëm të tij. Ai shënoi këtë javë golin e tetë kundër Ponferadinës dhe me festën e tij u duk sikur i hoqi vetes një barrë të madhe nga supet, pasi kishte 12 javë që nuk shënonte, përfshi këtu edhe ato ndeshje që ishte në stol. Por statistikat flasin për Armandon, sa herë ai hyn në fushë. Sulmuesi është lojtari më rezultativ në kampionat, pasi ka shënuar pesë gola duke hyrë nga stoli, më shumë se kushdo tjetër dhe këto i ka shënuar për 251 minuta në total. Mbetet të mësojmë nëse tekniku brazilian Silvinjo ka rezervuar një ftesë për 32- vjeçarin, që mungon prej kohësh në ekipin përfaqësues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here