Derbi midis Partizanit dhe Tiranës nuk shkoi sipas parashikimeve. Edhe pse ishte reklamuar nga FSHF dhe vetë klubet si “kartolinë” e futbollit shqiptar dhe pati 15 mijë vetë në stadium, derbi u ndez flakë nga mjetet piroteknike, aq sa në stadium dukej sikur kishte bombardime. Situata shkaktoi ndërprerjen disa here të takimit, ndërsa u shkaktuan edhe dëme të konsiderueshme në impiant si pasojë e thyerjes së stolave. Për pasojë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, mori masa të rënda ndëshkimore për të dy klubet, por nuk kanë munguar penalizime e gjobat edhe për skuadra të tjera që thyen rregulloren në javën e 24-t.
Vendimet kryesore
Natyrisht, vendimet kryesore ndëshkimore të Disiplinorit të dhëna ditën e djeshme ishin për dy klubet e kryeqytetit, Partizanin e Tiranën, të cilat luajtën derbin midis tyre në stadiumin “Air Albania”, por e ndezën stadiumin flakë me mjete piroteknike, gjë që shkaktoi ndërprerje të përsëritur të takimit, duke shkelur disa herë rregulloren. “FK Partizani, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 63, 64/2, 65/3/a 65/3/c, dhe 65/3/f të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve. Zyrtari i KF Partizani, Ervin Hajdari, për provokim të publikut, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. KF Tirana, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 64/2, 65/2, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
Ndëshkime të tjera
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në federatë vijon më tej me të tjera vendime ndëshkimore për skuadrat e Superiores që gabuan me sjelljen e tyre në kuadër të javës së 24-t të kampionatit. “KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. KF Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/2, 65/3/c dhe 65/3/h të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Lojtari i KF Erzeni, Rejnaldo Troplini, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Lojtari i KF Bylis, Xhoele Macolli, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, thuhet më tej në njoftimin e FSHF-së që bazohet në vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës.








































