Google search engine
Home Politike SPAK nis ofensivën kundër Arben Ahmetajt, Prokuroria e Posaçme fut në “sitë”...

SPAK nis ofensivën kundër Arben Ahmetajt, Prokuroria e Posaçme fut në “sitë” 3 vila dhe 2 apartamente, ish-ministri po hetohet për pastrim parash

0
137

Pasi nuk u mor i pandehur lidhur me aferën korruptive të inceneratorit të Elbasanit, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ende nuk i ka mbyllur hesapet me drejtësinë. Ish-nr.2 i qeverisë aktuale socialiste, i cili më herët ka mbajtur dhe disa poste ministrore po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale të “pastrim i produkteve të veprës penale”, ose e quajtur ndryshe si pastrim parash. Konkretisht, Ahmetaj po ndiqet penalisht nga SPAK për 5 pasuritë të paluajtshme që janë në emër të ish-gruas së tij, Albina Mançka dhe bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha. Lajmi u zbulua nga “shqiptarja.com”. Muajin e kaluar, SPAK konfirmoi për “Faxnews” se ish-zv/kryeministri po hetohej lidhur me veprimet e tij për inceneratorin e Elbasanit në vitet 2013-2016 kur ushtronte detyrën e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Megjithatë, SPAK mbylli hetimet për djegësin e Elbasanit dhe Ahmetaj nuk rezultoi të kishte kryer vepra penale për këtë çështje. Nuk dihet nëse vërtet drejtësia do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së plotë të kësaj dosjeje dhe gjykimit të duhur. Ahmetaj është denoncuar se i ka paguar biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto qëndrimet në hotel jashtë Shqipërisë dhe se ka shkatërruar provat materiale në laptopin e tij që mund ta implikojnë në këtë aferë.

3 vila, 1 apartament dhe 1 banesë në pronësi të ish-gruas dhe partneres së Ahmetajt

Sipas hetimeve, po verifikohen 5 pasuri të paluajtshme, 3 vila dhe 1 apartament dhe 1 banesë, që janë vendosur në pronësi të ish-gruas së Arben Ahmetajt, Albina Mançkës dhe partneres së tij Erjola Hoxha. Saktësisht, bëhet fjalë për: 1 vilë e Albina Mançkas, në zonën “Rolling Hills” (Vila A00); 1 vilë “Vila 22” në Valamar, në ngarkim të Erjola Hoxhës (Building Design Vila “Vale Mar 0765”); 1 apartament në kompleksin “Vale Mar”, porositur nga Erjola Hoxha; 1 vilë me nr. 73 “Green Coast” (Interior Design 1037) dhe 1 banesë e Albina Mançkës në pallatin “Tuborg”, në zonën e ish-Bllokut. Verifikimet e pasurive të ish-eksponentit të lartë socialist dhe qeverisë nisën pas një kallëzimi se ai dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha nuk kanë deklaruar një vilë në zonën e Valamarit të Hamallajt, në kompleksin “Vale Mar”. Kjo vilë pretendohet se i është dhuruar çiftit në fjalë nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për këto dy objekte. Një hetim i tillë nënkupton qartazi se ish-Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë, dhe Sipërmarjes; i Financave dhe Shtetit për Rindërtim dhe Programit e Reformimit, po hetohet për pastrim parash. Prokurorët duan të zbulojnë burimin e vërtetë financiar të blerjes së këtyre pasurive, pasi ka dyshime të mëdha se janë përfituar nëpërmjet aktivitetit korruptiv dhe klientelizmit.

GJKKO mori të pandehur 10 persona për inceneratorin e Elbasanit

Në 12  dhjetor 2022, SPAK mbylli hetimet për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) pranoi të merrte të pandehur në 21 shkurt 10 persona dhe 2 biznese: ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka; ish-Sekretari e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Alqi Bllako; biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja; Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit dhe ish-drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri, ish-anëtar i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit; Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit si dhe Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit. Po ashtu, edhe dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. do të përfshihen në procesin gjyqësor. Ata do të gjykohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK pranoi se po hetonte Ahmetajn për djegësin e Elbasanit, rezultoi “alarm fals”

Në 7 shkurt të këtij, në përgjigje të pyetjes nga “Faxnews” lidhur me Arben Ahmetajn, SPAK u përgjigj se po e hetonte ish-zv/kryeministrin për inceneratorin e Elbasanit. Organi në fjalë i akuzës pranoi se Ahmetaj po hetohej paralelisht dhe për pastrim parash. “Objekt i hetimeve të këtij procedimi penal janë një sërë rrethanash dhe faktesh, ku përfshihen edhe veprimet e shtetasit Arben Ahmetaj, në cilësinë e ish-Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Bazuar në kërkesat e nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, në këtë moment procedurial dhe në fazën ku ndodhen hetimet, veprimet hetimore dhe aktet hetimore, përbëjnë ‘sekret hetimor’”, iu përgjigj SPAK “Faxneës”. Por, në 21 shkurt, SPAK konfirmoi se Ahmetaj nuk do të merrej i pandehur për djegësin e Elbasanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here