N/kryetarja e PD zyrtare, Jorida Tabaku kritikoi vendimin e qeverisë për të rritur pagën minimale në 450 mijë lekë. Në rrjetet sociale, ajo nënvizoi se ky veprim do rëndojë ekonominë e shtresës së mesme të shoqërisë, që do të paguajë 16 milionë euro dhe nga ana tjetër, do t’i rëndohet barra ekonomike me 23%. “16 milionë euro shtesë do të paguajë shtresa e mesme vetëm si rezultat i rritjes së pagës minimale. Kjo, shtuar me 23% për të gjithë të vetëpunësuarit do të jetë një barrë shumë e rëndë për shtresën e mesme”, deklaroi fillimisht Tabaku. Ajo e konsideron një vendim të tillë të qeverisë si të dëmshëm për ekonominë pasi nuk promovon talentin, aftësinë dhe profesionalizmin në ekonomi. Tabaku gjykon se taksat e tilla ndaj shtresës së mesme në Shqipëri do përdoren për koncesione korruptive që qeveria u jep klientëve të saj. “Në vend që në Shqipëri të promovohet e të mbështetet puna dhe talenti, fatkeqësisht kjo nuk ndodh. Shtresa e mesme e cila duhet të ishte motorri i zhvillimit të një vendi, sot është e mbitaksuar, e këto taksa që merren nga shtresa e mesme përkthehen në konçesione korruptive, të cilat në fund të ditës nuk i shkojnë pjesës më të madhe të shoqërisë”, u shpreh më tej deputetja demokrate. Në fund, Tabaku tregoi se mbështetja ekonomike e shtresës së mesme do të garanonte ndalimin e emigracionit masiv dhe kapjen e shtetit. “Unë besoj që problemi është te sistemi, te sistemi i ngritur, i cili penalizon punën, i cili penalizon talentin e nuk e mbështet talentin. Kjo në fund të ditës përkthehet në një kapje shteti. Pa e ndihmuar dhe mbështetur shtresën e mesme ne nuk i themi dot ‘stop’ emigracionit masiv”, përfundoi n/kryetarja e PD zyrtare, Jorida Tabaku.