Ish-presidenti Bamir Topi ka folur dje për situatën në Partinë Demokratike teksa luftën për vulën dhe siglën e cilëson si mjerim politik. Në një intervistë për mediat, Topi u shpreh se Sali Berisha nuk ka qëndruar kaq gjatë për të mbyllur ciklin e tij por ka klonuar edhe 100 të tjerë të rinj që ndonëse të diplomuar artikulojnë njësoj si ai, ndaj mungon shpresa për qytetarët. Topi shtoi se Edi Rama ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe që ta kthejë Berishën në qesharak dhe ia ka dalë. Sipas ish-presidentit, gjithçka po ndodh është kurth i një plani politik i organizuar ndër vite nga kreu i qeverisë. “E lexoj shumë mirë vendimin e Apelit. Së pari këto ndryshime që po bëhen po prishin disa gjëra dhe një ndjesi timen, sot je në pushtet, nesër po erdhi ai që ti e ke gatuar, nuk zbret më nga pushteti. Koha e konfirmoi. E them këtë sepse e gjithë kjo situatë është historia e një kurthi që në planin politik është organizuar me mjeshtëri ndër vite nga Rama. Ka inteligjencë të nevojshme për procesin e nuhatjes me funksion pastrimin. Berisha punon brenda oborrit të vet. Historia e marrëdhënies me Ramën është e qartë, në vite Rama ka punuar për ta kthyer Berishën në qesharak dhe e ka realizuar. S’mund të lihet fati i një partie politike 2 ditë para regjistrimit. PD me siglën PD ku edhe unë kam pjesën e aksioneve duhet të ishte arshivuar. Një gjë që amortizohet deri në këtë pikë shkakto dhimbje. Pse luftojnë për vulën? Se janë njerëz të diskredituar. Një njeri me personalitet del edhe pa siglën. Në emër të asaj sigle ke spastruar njerëz pa fund. Unë nuk e kam për individin por për të tjerët. Ky individ (Berisha) nuk ndejti për të mbyllur ciklin e tij, ka klonuar edhe 100 të tjerë. Sheh sot njerëz në moshë të re që kanë mbaruar universitete që varfërojnë fjalorin e tyre dhe e sinkronizojnë me fjalorin empirik të Sali Berishës, atëherë ku është shpresa? Vula dhe sigla konsiderohet mjerimi politik, pjesa malinje që e shfrytëzon dhe mungesa e shpresës për qytetarët”, deklaroi ai. Më tej dhe teksa fliste për zgjedhjet e 14 majit, Topi komentoi koalicionin e Sali Berishës me Ilir Metën dhe mundësinë që kandidatët e primareve të futen në garë me siglën e Partisë së Lirisë. Sipas Topit, Berisha ka 2 mundësi, ose të largohet dhe t’i lërë vendin të tjerëve ose të pranojë atë që e quan ‘vdekje politike’ për shkak të koalicionit me një parti të majtë. Ndërkohë për zgjedhjet vendore, Topi u shpreh se do të fillojnë problemet serioze për qeverinë e Ramës, ndërsa bëri thirrje partnerëve kryesorë që të ndërhyjnë për sjelljet e kryeministrit. Nga ana tjetër, ish-presidenti Bamir Topi ka theksuar se nuk do të vonojë momenti kur gjërat do të shkojnë në shtratin natyral sa i përket situatës politike. Madje ndërsa kujton ligjin për çështjen e pronës, Topi thotë se Berisha e ka shkatërruar historinë.