Superiorja mbylli dje javën e 24-t të saj me surpriza jo të vogla, por padyshim që fitorja e Kukësit në transfertën e Laçit mund të konsiderohet më shumë se një trepikësh, nisur dhe nga pozitat që kanë të dy ekipet në tabelën e renditjes. Kështu, Kukësi triumfon në Laç me rezultatin 1-2 dhe regjistron fitoren e dytë radhazi në kampionat. Të zotët e shtëpisë e nisën mjaftë mirë sfidën, duke kaluar të parët në avantazh që në minutën e 10 -të. Kapiteni Mentor Mazrekaj asistoi saktë për Guindon, me këtë të fundit që nuk gaboi duke goditur saktë nga brenda zonës. Për Guindon ishte goli i parë që prej rikthimit të tij te Laçi në merkaton e dimrit. Kukësi u mundua të reagonte dhe vetëm pas 16 minutash riktheu baraspeshën me Rashitin. Ndreca pasoi saktë drejt sulmuesit në zonë, me këtë të fundit që shfrytëzoi në maksimum mundësinë e artë për të barazuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa Kukësi në fraksionin e dytë riktheu rezultatin. Në minutën e 53 të besuarit e trajnerit Hallaçi kaluan në avantazh me Ebert. Ishte Taipi ai që harkoi nga goditja e këndit me topit që shkoi në duart e Selmanit. Ky i fundit nuk arriti që ta mbajë në zotërim dhe gabimin e shfrytëzoi në maksimum braziliani. Kukësi realizoi edhe të tretë me Taipin, por pas ndërhyrjes së sistemit Var, goli u anulua për faull ndaj portierit. Deri në fund asgjë nuk ndryshoi me Kukësin që parakalon në renditje Laçin. Ekipi i Hallaçit pas triumfit të dytë radhazi ndodhet në vendin e 7 me 31 pikë, ndërsa Laçi zbret në vendin e tetë në kuotën e 30 pikëve. Ekipi i Mezanit në katër ndeshjet e fundit në kampionat numëron tre humbje dhe një barazim. Ka diçka me Laçin që nuk shkon si duhet dhe kjo duhet analizuar me kujdes nga stafi teknik, sikurse spikat rikthimi i bujshëm i Kukësit me trajner Hallaçin.