Bordi Ekzekutiv i KOK-u ka vendosur që deri në Lojërat Olimpike Paris 2024, të rrit vlerën e bursave olimpike për 22 bursistët e KOK-ut. Rritja është bërë në bazë të rezultateve të arritura nga sportistët gjatë vitit 2022. Rritja më e madhe, prej 300 eurosh, është bërë për kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, nënkampionen e Evropës 2022, xhudisten Laura Fazliu dhe medalistët e bronztë në Lojërat Mesdhetare, xhudisten Flaka Loxha e boksierin, Shpetim Bajoku. Me nga 250 euro më shumë, do të marrin edhe boksierja Donjeta Sadiku, medaliste e bronztë e botës dhe Evropës dhe xhudistja, Loriana Kuka, medaliste e artë në LM Oran 2022. Vlera totale mujore e rritjes është 2880 euro. Qëllimi i dhënies së bursave olimpike është përgatitja dhe ndjekja e normës olimpike për Paris 2024.