Kategoria I/ Mehmeti e nis mbarë tek Dinamo, Skënderbeu frenohet në Burrel

0
149

Në Kategorinë e Parë po bëhet një luftë e fortë sportive për të siguruar ngjitjen në elitë. Janë disa ekipe që e pretendojnë këtë gjë, duke nisur me Flamurtarin, Skënderbeun, Dinamon, Korabin dhe Besën e Kavajës, por duket se deri në fund të garës surprizat do të jenë të shumta dhe emocioni shumë i madh, nisur pikërisht nga Dinamo, e cila ndryshoi trajnerin një javë më parë, duke larguar Nevil Deden dhe duke sjellë Dritan Mehmetin. Kështu, pas tre ndeshjesh pa fitore dhe dy humbjeve radhazi, Dinamo rikthehet te suksesi në Kategorinë e Parë. Blutë e kryeqytetit mposhtën në transfertë me rezultatin e thellë 0-4 Besëlidhjen, duke i dhënë mundësinë edhe trajnerit Dritan Mehmeti të festojë në ndeshjen e parë nën drejtimin e skuadrës. Miqtë e vendosën shpejt sfidën në “shinat” e duhura teksa kaluan në avantazh në minutën e pestë me anë të Ivan dhe dyfishuan më pas me anë të Denison shtatë minuta para se të mbyllej 45-minutëshi i parë. Në fraksionin e dytë, Dinamo mbylli llogaritë e sfidës me golin e tretë në minutën e 67-të, sërish me anë të Denison. Në fund, pati vend edhe për një gol të Imamit në minutën e 78-të teksa pas këtij trepikëshi, Blutë ngjiten në vendin e dytë me 34 pikë (po aq sa Skënderbeu), një më pak se Flamurtari kryesues. Ndeshjet e tjera, Skënderbeu nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertë ndaj Burrelit. Korçarët ishin më kërkues në fushë, por pa lënë mënjanë edhe vendasit që u ndalën nga shtylla pas një goditje të Kolecit. Gjithsesi, në fund nuk pati fitues me Skënderbeun që për momentin mban vendin e tretë me 34 pikë ndërsa Burreli mban vendin e nëntë me 22 pikë. Sakaq, Tomori mposhti në shtëpi me rezultatin 2-1 Orikun, Luzi barazoi pa gola 0-0 me Turbinën e Cërrikut, ndërsa Apolonia e Fierit mposhti Tërbunin e Pukës me rezultatin 1-0.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here