Gara e parë e sezonit të Formula 1, në Bahrein, nuk pati shumë histori. Maks Vershtapen dominoi në cirkuitin e Sakhir teksa e nisi garën nga vendi i parë dhe e ruajti kryesimin deri në kthesën e fundit pa e vendosur kurrë në dyshim pozicionin e tij. Red Bull dhe holandezi japin menjëherë që në start mesazhin se edhe në këtë sezon do të jenë pretendentët kryesorë ndërsa 25-vjeçari synon titullin e tretë radhazi në karrierë. Sa i takon pjesës tjetër të pilotëve, Çarls Leklerk provoi të rezistonte dhe të mbante podiumin. Në fillimi piloti monegask ia doli të parakalonte Serxhio Perez duke u ngjitur në vendin e dytë, por në vijim meksikani e rifitoi pozicionin e tij ndërsa numri një i Ferrarit u u tërhoq para kohe nga gara. Kështu, Perez ishte ai që zuri vendin e dytë në Bahrein. Ndërkohë, surpriza e madhe ishte Fernando Alonso i cili edhe pse u nis nga vendi i pestë, ia doli ta mbyllte garën në podium. Ai la pas në vendin e katërt pilotin e dytë të Ferrarit, Sainz. Sa i takon skuderisë së Mercedesit, makina gjermane u duk në vështirësi me pilotin britanik Ljuis Hamilton i cili e mbylli në vend të pestë.



































