Egnatia tjetër trepikësh për Europën, Kastrioti zhytet më tej në renditje

0
124

Kategoria Superiore u kthye dje në fushë, me ndeshjet e para të javës së 24-t, e do të vijojë me ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje ditën e sotme, një xhiro që kulmon me duelin derbi Partizani-Tirana. Ndërkohë, dje, Egnatia mposhti Kastriotin 4-1. Ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me anë të Duamenës. Ky i fundit shënoi një gol mjaft të bukur nga një kënd i vështirë duke nisur festën tek vendasit. Megjithatë, miqtë reaguan dhe barazuan duke pasur edhe fatin në anën e tyre. Një top i goditur nga Agbekpornu u përplas në shpinën e Grecës dhe përfundoi në rrjetë. Por, sërish rrogozhinasit u treguan të vendosur dhe pa u mbyllur pjesa e parë u rikthyen në avantazh po me anë të Duamenës. Në fraksionin e dytë, Kasa shënoi golin e tretë për Egnatian duke i dhuruar qetësi ekipit rrogozhinas. Megjithatë, qetësia e Egnatias u lëkund në momentin që Kacbufi mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijtë me 10 lojtarë. Në të 74-tën, Kastrioti fiton 11-metërsh me Selmanin që paraqitet nga pika e bardhë, por gabon me Sherrin që kupton krahun dhe largon rrezikun. Në fund, vendasit gjetën edhe golin e katërt me anë të Xhekson ndërsa pas këtij suksesi, Egnatia ngjitet në vendin e dytë me 37 pikë. Nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 23 pikë.

Bylisi dhe Erzeni ndajnë nga një pikë, ballshiotët mbeten të parafundit

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Bylisi barazoi me rezultatin 1-1 në shtëpi ndaj Erzenin. Ballshiotët ishin pranë fitores në fakt, teksa kaluan të parët në avantazh me anë të Esquerdinja por u barazuan në minutën e 91-të nga Kahrimanoviç. Ky i fundit shënoi nga pika e bardhë e penalltisë duke i dhuruar një pikë të tijve me Erzenin që shkon në kuotën e 33 pikëve në vend të pestë. Sakaq, Bylisi mbetet në vendin e nëntë me 27 pikë. Ndërkohë, goli i barazimit i shënuar në fund i zuri në befasi ballshiotët që u prekën emocionalisht dhe menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, në fushën e lojës ka shpërthyer një sherr masiv me lojtarëve. Një zënkë ku u përfshinë pak a shumë të gjithë, protagonistë u bënë edhe stafet e skuadrave apo edhe persona të cilët zbritën nga tribuna, duke krijuar momente kaosi që zgjati disa minuta. Fillimisht ndërhyrja e policisë solli ndalimin e personave civil që iu bashkuan sherrit, ndërsa më pas pak nga pak u vendos qetësia dhe skuadrat vazhduan drejt dhomave të zhveshjeve.

Shensoji: Po përballemi me forca të fshehta

I ashpër ka qenë pas ndeshjes edhe trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoji, që foli për “forca të fshehta” me të cilat po përballet ekipi i tij. “Në pjesën e parë dominuam totalisht, humbëm disa raste, mund të shënonim 2-3 gola. Erzeni nuk bëri asgjë, në pjesën e dytë dominuam në fushë si skuadër e bëmë golin. Por më vonë një penallti, menjëherë pa e shkuar te VAR-i, si e pa, se shumë lojtarë ishin aty. Më mirë të shkonte te VAR dhe bindej. Janë forca të fshehta që nuk po na lejojnë të tregojmë që në futbollin shqiptar, Ballshi po tregon e do vazhdojë të tregojë, dhe do të luftojmë edhe me forca të fshehta deri në fund të kampionatit”, theksoi trajneri i Bylisit.

Pragderbi

Java 24

Të dielën, 5 mars

Bylis-Erzeni                13:00

Egnatia-Kastrioti         13:00

Të hënën, 6 mars

Laçi-Kukësi                 13:00

Teuta-Vllaznia                         16:00

Partizani-Tirana          19:00

Renditja

Nr.Ekipi         Pikë

1.Tirana           40

2.Egnatia         37

3.Partizani       37

4.Vllaznia        35

5. Erzeni          33

6.Teuta            31

7.Laçi              30

8.Kukësi          28

9.Bylis             27

10.Kastrioti     23

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here