Kreu i njërës prej organizatave kriminale më të rrezikshme shqiptare dhe i dënuar nga Belgjika, lirohet me kusht Safet Bajri, ja veprat penale për të cilat akuzohet dhe konfliktet me fisin Lici

0
254

Safet Bajri (Rustemi) është nxjerrë nga burgu i Fierit pasi është pranuar kërkesa e tij për t’u liruar me kusht. Kreu i organizatës famëkeqe kriminale “Bajri”, me qendër në Shkodër premtoi se nuk do të përfshihet në aktivitete të tjera të paligjshme nëse do të lirohej. Në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare hedh në kosh procesin dhe punën e madhe të drejtësisë belge, e cila e kishte dënuar në total me 22 vite Safet Bajri (Rustemi). Lirimi i tij është konfirmuar dhe nga fotot e publikuara në rrjetet sociale nga personazhi VIP, Atdhe Xharavina. Safet Bajri u dënua me 9 vite burg në 2015 nga gjykata e Brukselit për veprat penale “shfrytëim për prostitucion”, “organizatë kriminale” dhe “vjedhje në rrethana rënduese”. Ai kreu 3 vite burg në Belgjikë, ndërsa 3 vite të tjera të dënimit i bëri në atdhe në disa burgje. Safet Bajri kishte kërkuar në maj 2022 lirimin me kusht, pasi kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit. Drejtuesi i grupit kriminal “Bajri” fiton pas shumë vitesh betejën e ashpër me drejtësinë belge dhe shqiptare, duke shtuar një tjetër precedentë famëkeq se si organizatat kriminale ia hedhin paq. Rasti i fundit ishte shpallja e pafajshme e grupit kriminal “Hakmarrja për drejtësi” nga Gjykata Lartë. Grupi “Bajri” akuzohen prej vitesh për aktivitete të rënda kriminale, si: prostitucion, vrasje, vjedhje, trafik droge, organizim i paligjshëm të lojërave të fatit, gjobëvënie të paligjshme, shantazhe, etj. Ky grup i strukturuar kriminal operonte në Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Operacioni i bujshëm për kapjen e grupit “Bajri” në 2018, ja akuzat e rënda

Në 21 shtator 2018, një megaoperacion ndërkombëtar i koduar “Oaz”, i organizuar ndërmjet institucioneve ligjzbatuese shqiptare, belge dhe spanjolle shkatërruan grupin kriminal “Bajri” me 11 anëtarë. Mes tyre ishin dhe krerët e këtij grupi kriminal Safer, Enver dhe Behar Bajri. Operacioni u konsiderua një sukses i vërtetë i shtetit shqiptar dhe u trumbetua fort nga ministri i Brendshëm i kohës, Fatmir Xhafaj; Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Grupi kriminal është përgjuar e hetuar prej 6 muajsh në disa shtete. Ndaj tyre u ngritën akuzat për: Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Policia sekuestroi një resort në Velipojë në pronësi të Bajrave, 3 automjete, dhjetëra celularë, armë, lëndë narkotike kanabis, etj. Grupi kriminal “Bajri” që ndodhet në Dobraç akuzohet konkretisht për 2 vrasje tronditëse: atë të shoferit të furgonëve Arben Tuzi në 7 shkurt 2001 për hakmarrje dhe ekzekutimin në gjumë të 15-vjeçare Fabiola Harxhi në banesëne Behar Bajrit, bashkëshortit të saj, i cili e kishte rrëmbyer.

Drejtësia shqiptare “mbyt” procesin për Bajrat, gjykatat luajnë “ping pong”

Por, drejtësia shqiptar dështoi totalisht të provonte akuzat e rënda dhe të dënonte grupin kriminal “Bajri”. Me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të tjera juridike, Gjykatae Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) transferoi çështjen për hetim në Prokurorinë e Shkodrës në 7 shkurt 2020. Më pas, filloi një kalvar i gjatë injorimi dhe dorëzimi përballë grupit kriminal “Bajri”. Edhe Gjykata e Shkodrës nuk pranoi ta shqyrtonte dosjen në 19 shkurt 2020. Sërish “topi” iu pasua SPAK, por kjo e fundit vendosi t’i kthente “kusurin” Gjykatës së Shkodrës, e cila kërkoi zgjidhje në Gjykatën e Lartë në 9 prill 2020. Në atë kohë, shqyrtimi i kësaj çështjeje madhore për drejtësinë dhe shtetin shqiptar u bllokua për shkak se prej 2 vitesh, Gjykata e Lartë kishte vakanca të paplotësuara. Grupi “Bajri” u vendos dhe në fokus të politikës në Shqipëri. Sekretari i PD, Gazment Bardhi akuzoi SPAK dhe qeverinë socialistë se po mbrojnë këtë grup të rrezikshëm kriminal pasi ata kanë lidhje të forta me shtetin.

Djegia e afateve të paraburgimit dhe lirimi i krerëvë të grupit

Në 30 prill 2020, Gjykata e Lartë i dha të drejtë GJKKO. Kjo e fundit shtoi se në kushtet kur SPAK nuk ka më procedim penal pranë saj për këtë çështje, as kjo gjykatë nuk ka më lëndë, duke mos pasur më kompetencë lëndore. Zvarritja e hetimeve dhe konsumimi i 4 muajve në përplasje për kompetencën sollën djegien e afateve të paraburgimit për tetë të akuzuarit e grupit “Bajri”. Më 20 maj 2020, Gjykata e Shkodrës liroi nga qelia 5 prej të akuzuarve dhe zgjati me 1 muaj afatet për Behar Bajrin dhe vëllezërit Ilir dhe Safet Bajri.

Konflikti i përgjakshëm me mbi 20 të vrarë mes Bajrave dhe Licëve

Fisi Bajri është përfshirë në një konflikt të madh shumëvjeçar me fisin Lici në Shkodër. Armiqësia mes tyre është ndërlikuar dhe nga ndarja e zonave të operimit të aktiviteteve kriminale të trafikut të drogës, gjobëvënies etj. Nga të dyja palët janë vrarë 20 persona: Fatbardh Lici, Fatos Ferracaku, Astrit e Brahim Bilali, Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, Endri Mustafa, etj. Konfliktet mes dy fiseve Bajri-Lici ka përfshirë dhe shumë qytetarë e familje të tjera në Shkodër. Vrasja më e fundit është ajo e Ismet Çekorjes në 2 shtator 2022.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here