Vllaznia fiton çerekfinalen e parë me Partizanin, Kolela gatit largimin nga të kuqtë

0
127

Kupa e Shqipërisë mbylli duelet e para çerekfinale për këtë sezon, ku padyshim fitorja e Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës ndaj Partizanit shënoi një çast kulmor për kuqeblutë, që me rezultatin 3-1 bëjnë një hap të madh drejt gjysmëfinales, pavarësisht se për të përcaktuar skuadrën e kualifikuar duhet pritur edhe ndeshja e kthimit në kryeqytet. Ndërkohë, Teuta mundi pastër Kukësin 2-0 dhe bën gjithashtu një hap të mirë për të kaluar raundin. Natyrisht, vëmendja dje ishte në “Loro Boriçi”, ku pas 90 minutash futboll të bukur ka nisur festa, sepse ndeshjen e parë çerekfinale Vllaznia e fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Partizanit. Shkodranët zhbllokuan takimin në minutën e 11-të me Kainën, ndërsa në minutën e 33-të Çoba dyfishoi avantazhin e Vllaznisë. Kryeqytetasit tentuan të reagonin dhe ngushtuan rezultatin në minutën e 44-t më Matondon, duke e mbyll pjesën e parë të takimit me rezultatin 2-1. Megjithatë në minutën e 52-të Kaina u dhuroi siguri vendasve, pasi vulosi rezultatin e kësaj sfidë, duke shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Vllazninë. Kupa vlerësohet shumë, pasi është një mundësi të mbyllet sezoni me trofe, e njëherësh fituesi i Kupës ka të drejtën e pjesëmarrjes në UEFA Conference League.

Kolela bëhet gati për tu larguar nga “demat e kuq”

Pas humbjes së djeshme në Kupë, trajneri i Partizanit ka pasur një komunikim të shkurtër me drejtorin e klubit, Olsi Rama, i cili nuk besohet të ketë qenë ai që i ka kërkuar të japë dorëheqjen. Sipas gazetarëve që janë ndodhur në ambientet e brendshme të stadiumit tekniku italian Xhovani Kolela ka kërkuar të largohet, si shenjë e hapjes së rrugës për kalimin e krizës së lojës e të rezultateve. Në fakt, është një situatë e paqartë, sidomos tani kur Partizani për pak ditë do të presë derbin me Tiranën, një duel që do të përcaktojë edhe fatet e sezonit aktual, nisur nga pozitat që kanë skuadrat si vend i parë dhe i dytë në tabelën e renditjes. Me pak fjalë, pas humbjes së djeshme në Shkodër, Partizani mund të mbetet pa trajner duke nisur nga dita e sotme, e madje mund të mos ketë një teknik në pankinë për duelin derbi me Tiranën.

Teuta fiton duelin e parë me Kukësin

Ndërsa në Shkodër Vllaznia po e merrte seriozisht duelin e saj me Partizanin, në Durrës Teuta po përpiqej të vinte diktatin e saj në Kupë, si shansi i vetëm për këtë ekip që të sigurojë pjesëmarrjen në Europë. Në fakt, “djemtë e detit” ia dolën. Teuta fitoi me rezultatin 2-0 ndaj Kukësit në “Niko Dovana”, me dygolëshin që mban firmën e Sherif Kallakut. Pjesa e parë e kësaj përballjeje u mbyll me barazimin 0-0, ndërsa u desh minuta e 59-të që Kallaku të zhbllokonte sfidën. Më pas në minutën e 72-të ishte po Kallaku ai i cili gjeti rrugën drejt rrjetës, duke vulosur edhe rezultatin e kësaj përballje të parë mes këtyre dy skuadrave. Ndeshjet e kthimit të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën e datës 14 dhe 15 mars.

Kupa e Shqipërisë

Ndeshjet çerekfinale

Të martën

Egnatia-Laçi                0-0

Kastrioti-Tirana          1-4

Të mërkurën

Teuta-Kukësi               2-0

Vllaznia-Partizani        3-1

Ndeshjet e kthimit

14&15 mars, ora 17:00

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here