Akuzat e ngritura drejt zyrtarëve të lartë amerikan për gjobvënie nga Sali Berisha u hodhën poshtë dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një komunikim ekskluziv për “Report Tv”, DASH i cilëson akuzat e Berishës qesharake. “Akuzat e Sali Berishës, i cili u sanksionua nga Sekretari i Shtetit për korrupsion të theksuar, janë qesharake. Shtetet e Bashkuara e kanë të qartë përkushtimin tonë ndaj demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit”, theksohet në komunikatë. Por teksa na ndanë pak më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet e ardhshme vendore, SHBA u bënë thirrje të drejtpërdrejtë partive politike për zgjedhje të ndershme. “Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike që të angazhohen në diskurs konstruktiv dhe të mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në reagim.
Çfarë tha Berisha?
Por ky qëndrim i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen menjëherë pas akuzave të ngritura pak ditë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili javën që shkoi i bëri thirrje Kongresit Amerikan të hetojë veprimtarinë e ambasadores Yuri Kim, të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, me pretendimin se po vendosin gjoba njëjtë si Charles McGonigal. “E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të ‘blacklistuar’ dhe përgojoheshin emra. Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën. Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim. Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare. I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit. Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së. Ne do kontribuojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama”, deklaroi ai. Por në listën e amerikanëve, Sali Berisha dy herë “non grata”, nuk ka vetëm të akuzuar. Duke e vlerësuar si patriote të vendit të vet, ish kryeministri thotë se po sulmohet padrejtësisht ish e dashura e McGonigal, që sipas tij, ka zbardhur lidhjet e agjentit të FBI, me kryeministrin Shqiptar. “Tani shërbëtorë të Ramës në media thonë se shtriga botërore sipas tyre është një zonjë patriote e vërtetë e vendit të vet. Ia ktheu të gjitha ato që meritonte McGonigal dhe ajo ishte e mërzitur”, nënvizoi Berisha.
Escobar komenton çështjen “McGonigal”
Ndërkohë dy ditë më parë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar për herë të parë çështjen “McGonigal”, ku ka deklaruar me zë dhe me figurë se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk janë cenuar aspak. Në një kohë kur opozita e Sali Berishës pretendon ka pasur një krisje të raporteve mes 2 vendeve e me këtë justifikim ka thirrur edhe protestë, zyrtari i lartë i SHBA konfirmon se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë. Ky është reagimi i parë nga një zyrtar i lartë amerikanë për çështjen McGonigal, ku tha se kjo çështje i takon FBI.Zyrtari i lartë amerikan gjithashtu ka deklaruar se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk është pjesë e hetimeve të nisura ndaj ish-shefit të Departamentit të Kundërzbulimit të FBI-së. “Shqipëria është aleate e NATOS dhe pjesë e këshillit të sigurimit, çështja MC Gonigal, nuk e ka dëmtuar aspak marrëdhënien tonë të mirë me Shqipërinë. Shqipëria na ka ndihmuar shumë përgjatë Këshillit të sigurimit. Megjithatë nuk dua të komentoj shumë McGonigal, pasi është çështje që i takon FBI. DASH nuk është pjesë e atyre hetimeve”, deklaroi Escobar, në një bashkëbisedim virtual me gazetarë.








































