Tashmë gjithçka është mëse e qartë. Saga banale dhe e rrezikshme me aferën “CEZ-DIA”, befas ka marrë një tjetër rrjedhë, për shkak se javën që shkoi u thirr për të dëshmuar për këtë çështje në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ish-presidenti Ilir Meta. Gazeta “SOT” gjatë këtyre ditëve ka pasqyruar me guxim gjithë mënyrën se si kjo aferë u përdor nga Meta për t’u pasuruar, ndërkohë që sot po sjell për lexuesin një prononcimi të ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho, i cili theksoi se me thirrjen e Berishës, Ahmetajt dhe Metës nuk ka më të “përkëdhelur” të ligjit. Mes të tjerash, zoti Braho është ndalur edhe tek ligji i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ish-deputeti Spartak Braho ka bërë një deklaratë të fortë, teksa theksoi se në qeverinë e Aleksandër Meksit, në kohën kur Sali Berisha ka qenë President, 9 ministra sipas tij, kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit. Megjithatë, ish-deputeti nuk preferoi të flasë me emra, por theksoi gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, të cilin po e pasqyrojmë më poshtë, se dy prej tyre janë aktualisht në Partinë Demokratike.
Meta në SPAK
Thirrja nga SPAK-u i shumë qeveritarëve apo edhe qeveritarëve të sotëm pa dyshim hapi dhe veprimi procedurial me i rëndësishëm i këtij organi të rëndësishëm hetimor që tregon se një erë e re ka filluar ta dominojë veprimtarinë e tij. Guximi dhe kruajua e bazuar dhe e përcaktuar nga ligji tashmë po vepron mbi këdo që dyshohet se ka ngjyer duart dhe në këtë mes nuk ka më dallim apo hezitim duke i thënë stop presionit, veçanërisht nga politika. BRAVO-SPAK duhet thënë e duhet përgëzuar në mbështetje ndaj djemve hetues të këtij organi. Me thirrjen e Saliut, Mediut, Ahmetajt, çiftit Meta etj nuk ka më të “përkëdhelur” të ligjit. Morali apo leximi i parë në këtë rast që e zbërthen këtë veprim është se të gjithë mëkatarët me dashje apo me detyrim do kalojnë tek ” guri me vrimë” apo skaneri ligjor që duhet përgjigjen apo sqarojnë rrethanat e akuzave apo dëshmive sqaruese. Për mendimin tim do të thosha që veç thirrjes në tavolinën e rrëfimit, ata më të fortët apo të nivelit të lartë duhet ti nënshtrohen edhe ekzaminimit psikologjik nga makina e të vërtetës si mjet shkencor që dallon në një masë të saktë deponimet e vërteta apo të gënjeshtra. Natyrisht unë nuk mund të them në këtë fazë, nëse Udhëheqësi Meta është apo jo i implikuar në aferën e “CEZ- DIA”, por 4 orë bashkëbisedim nuk janë pak. Pa dyshim nga ky bashkëbisedim ish-Ministri i Ekonomisë ka dalë i turbulluar.
Ligji i dosjeve
Bashkimi i Rilindjes, jo PS si thoni ju, sepse Partia Socialiste e ka përcaktuar dhe vendosur e votuar me kohë qëndrimin e saj për dosjet e bashkëpunëtorëve me nismën e Alibeajt është një moment që dëshmon degradimin dhe kalbëzimin ideor të drejtuesve aktual të rilindjes që bëhen palë me synimin e vjetër të një neoballisti të shpartalluar për krime që para 50 vjetësh vetëm për arsye demagogjike dhe hakmarrëse, për të revizionuar historinë e Luftës Nacional Çlirimtare dhe për të eliminuar kundërshtarët. Alibeaj ka harruar se në gjitha Qeveritë e prodhuar nga Sali Berisha ka pasur ministra, madje edhe kryeministër e Kryetar Kuvendi bashkëpunëtor të Sigurimit Shtetit. Novatori Enkelejd Alibeaj në këtë rast hakmerret ndaj bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga pozita e një pinjolli që të afërmit e tij ( Isa Toska) kanë qenë bashkëpunëtor të fashizmit që i lyen deri në brryla duart me gjak gjatë luftës antifashiste. Thuhet se për këtë bashkim votash e qëllimesh goditet Ilir Meta nga sanksioni që e eleminon atë nga politika. Personalisht dyshoj për këtë përfundim për fatin politik të Metës, si i pa mbështetur sa kohë ky cazus do të jetë edhe objekt shqyrtimi e interpretimi nga gjyqësori. E shoh këtë rast dhe synim n.q.s do të miratohet, si ” vrimë në ujë” të Edi Ramës dhe Enkelejd Alibejt. Nxjerrjen nga politika të Ilir Metës apo edhe të të tjerëve aventuriere që drejtojnë politikën e bënë vetëm vota e popullit, sepse “doku i tyre politik” ka kohë që ka hyrë në ujë e do të vazhdojë të hyjë.
Rreziku dhe prania e spiunëve në politikë
Ju pyesni a rrezikohen ndonjë zyrtar i lartë nga hapja e dosjeve nga të qenurit spiun. Pa dyshim. Në të dy krahët e politikës ka dhe ekzistojnë spiunë të vjetër të ish- sistemit komunist dhe spiunë të rinj të shërbimeve agjenturore armike, por edhe të ndonjë shërbimi ” mik”, duke mos harruar se në lojën e agjencive zbuluese nuk ka miq të sigurt dhe të përhershëm. Nga ana tjetër, në dijeni time në qeverinë “Meksi” me President Sali Berishën ishin 9 ministra bashkëpunëtorë të Sigurimit, vetëm mos më pyet për emrin. Megjithatë di që dy prej tyre janë aktualisht në PD. Nuk kanë funksione, nja dy janë në këshill kombëtar. Kanë qenë pjesë e bashkëpunëtorëve të aktivizuar nga Sigurimi.