Luftë e heshtur në PS për Vlorën, zbulohet emri i kandidatit që po fut në sherr socialistët, futet në lojë Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Blendi Klosi

0
241

Në Partinë Socialiste ka një përplasje të heshtur mes Damian Gjiknurit dhe Taulant Ballës për të imponuar tek Edi Rama kandidatin për Bashkinë e Vlorës. Bëhet fjalë për ambasadorin e Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha, i testuar edhe nga vetë Rama pak ditë më parë gjatë vizitës në Dubai. Fakti që, edhe pas vizitës në Dubai, kryeministri nuk ka marrë një vendim, nuk është një lajm i mirë për mbështetësit e Dredhës, por loja për pushtet vazhdon në nivele shumë të larta në PS. Në fakt, fijet po i tërheq një emër me rëndësi dikur në PS, Gramoz Ruçi, i cili ka interesa direkte familjare tek emri i Ermal Dredhës. Ruçi e di shumë mirë që Ermal Dredha ka mbi 25 vjet që nuk ka asnjë lidhje me Vlorën, por ai po tenton të bindë Ramën përmes të tretëve, pasi Ermal Dredha është vëllai i dhëndrit të Gramoz Ruçit. Për këtë, ai po përdor Taulant Ballën, i cii është i gatshëm në çdo kohë t’i tregojë Damian Gjiknurit se kush prej të dyve është më i fortë tek Edi Rama.

Hyn në lojë Klosi

Ndërkohë një tjetër emër që po bën lojën e Ruçit është Blendi Klosi, drejtuesi aktual politik i Vlorës, i cili ia dedikon karrierën politike në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçit, kur u zgjodh në Fier deputet për herë të parë. Burime brenda PS bëjnë të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka refuzuar të bashkohet me tezën e përhapur nga Taulant Balla se “Rama e do kandidatin e Vlorës nga jashtë Vlorës”, një teza kjo që synon të frenojë çdo socialist vlonjat të kërkojë mbështetje për kandidim. Se kush do të jetë kandidat i PS në Vlorë, do të merret vesh së shpejti, por e sigurtë është që klani i Fierit në Partinë Socialiste, i drejtuar nga Gramoz Ruçi përmes Taulant Ballës dhe Blendi Klosit, po bën gjithçka të kontrollojë edhe Vlorën.

Të konfirmuarit; nga Veliaj, Llatja, Beci te Tërmet Peçi, ja emrat

Erion Veliaj në Tiranë, Gledjan Llatja në Elbasan, Benet Beci në Shkodër janë konfirmuar publikisht deri tani si kandidatët e selisë rozë në zgjedhjet e radhës për postin e kryebashkiakut. Edhe kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emirjana Sako do të jetë kandidatë sërish për këtë qytet në 14 maj. Vetë kryeministri ka vendosur që jo vetëm Sako, por dhe të gjithë kryebashkiakët socialistë që fituan postin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 në Rrogozhinë, Dibër, Lushnjë, Vorë dhe Dibër, do të votëbesohen sërish nga PS për të kërkuar një tjetër mandat në krye të pushtetit lokal në 14 maj. Për rrjedhojë, Edison Memolla në Rrogozhinë, Rahim Spahiu në Dibër, Eriselda Sefa në Lushnjë dhe Blerim Shera në Vorë do të përfaqësojnë sërish partinë në pushtet në zgjedhjet lokale në këto 4 bashki. Edhe pse kishte shumë pikëpyetje për Armando Subashin në Fier dhe Qerim Ismailajn në Mallakastër nëse do të kandidonin sërish në këto qytete për shkak të skandalit të inceneratorëve dhe dënimit me 40 ditë punë për “falsifikim të formularit të dekriminalizimit” lidhur me një dënim në Greqi në 1999, i deleguari i PS për qarkun Fier, Taulant Balla bëri me dije para 2 ditësh se Subashi dhe Ismailaj janë të preferuarit e PS në këto 2 qytete. Në bashkitë e tjera të Shqipërisë, do të kërkojnë një tjetër mandat Pjerin Ndreu në Lezhë, Flamur Golemi në Gjirokastër. Ndërsa shumë gjasa kanë të rikandidohen: Ilir Xhakolli në Pogradec, Ervin Demo në Berat, Alma Hoxha në Përmet, Adrian Gurma në Sarandë, Kastriot Gurra në Librazhd, Ndrec Dedaj në Mirditë, Arif Tafani në Belsh dhe Tërmet Peçi në Tepelenë.

Zv/ministrat kandidatë në zgjedhjet e 14 majit?

Nga ana tjetër në një intervistë për mediat në 17 janar të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe njëherazi i deleguari i selisë rozë në Elbasan, Damian Gjiknuri paralajmëroi se në zgjedhjet e radhës, mund të përzgjidhen dhe zv/ministra si kandidatë për disa bashki të vendit. Megjithatë, ai nuk zbuloi emra konkretë.  “Fokusi i PS për gjetjen e kandidatëve do të jetë jashtë grupit parlamentar. Një pjesë e zv/ministrave janë pjesë e strukturave të PS, njerëz të lidhur me terrenin dhe mund të jetë edhe ndonjë i tillë. Nuk mund të them se tanimë kemi një zv/ministër por nuk do të ishte çudi që edhe mund të kishte të tillë”, bëri me dije Gjiknuri.Po ashtu, të sigurtë që nuk e kanë rikandidimin janë Safet Gjici në Kukës dhe Rakip Suli në Kamëz.Këto bashki kanë gjasa të forta të rimerren nga PD, pasi janë bastione të forta të selisë blu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here