Klub i Gjilanit ka konfirmuar dje arrestimin e sulmuesit nga Nigeria, Theofilus Solomon. Nëpërmjet një komunikate, Gjilani ka thënë se Solomon të premten e shkuar është shoqëruar nga Policia e Kosovës për shkak të një rasti personal të cilin e ka pasur më herët kur ishte pjesë e Partizanit të Tiranës vite më parë. Gjilani ka thënë se si klub do të bashkëpunojë me autoritetet relevante deri në sqarimin dhe pastrimin e plotë të rastit në fjalë. Ndërsa Sabit Shala nga Gjykata Themelore në Gjilan tha se Solomoni po dyshohet për veprën penale “dhunë në familje”, nga Kodi Penal i Shqipërisë, ndërsa i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditëve. “Ka qenë kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditëve. Ai dyshohet për kryerje të veprës penale ‘dhunë në familje’, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala. Ai tha se i mbetet Prokurorisë të paraqesë kërkesën për ekstradim, për të vendosur më pas Gjykata. “Sport Club Gjilani gjithmonë ka treguar kujdes gjatë angazhimit të lojtarëve të ri, kur paralel me cilësitë futbollistike vëmendje i kemi kushtuar edhe anës njerëzore. Njëjtë edhe me futbollistin Theofilus Solomon, i cili ka treguar sjellje tejet korrekte dhe ka qenë shembull për të tjerët. Ne si klub ofrojmë bashkëpunim sa i përket pjesës tonë të kompetencave, edhe pse realisht nuk kemi asnjë lidhje me kohën dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja. Gjilani nuk do të bëjë asnjë koment tjetër në lidhje me futbollistin, derisa autoritetet kompetente të dalin me një vendim përfundimtar”, thuhet në njoftimin e klubit kosovar. Gjilani e mori Solomonin në fillim të sezonit.



































