Flamurtari thyen Besën dhe ngjitet i dyti, Dinamo zgjidh brenda pak orësh çështjen e trajnerit të ri

0
177

Kategoria Superiore dominohet nga dy klubet e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani, që jo vetëm mbajnë vendet e para, por kanë dhe grupe më cilësore e premtuese, gjë që u ka dhënë atyre superioritetin në garë dhe shihen favorite për të fituar titullin. Krejt ndryshe ndodh në Kategorinë e Parë, ku klubet jashtë kryeqytetit janë dominues në garë, duke e eklipsuar Dinamon, “nëndetësen” që shpreson rikthimin në elitë. Kështu, Skënderbeu dhe Flamurtari duken në këtë moment skuadrat më të forta e më me shumë shanse të rikthehen në Superiore, nisur nga pozitat që kanë në klasifikim, por edhe morali i grupeve përkatëse dhe mbështetja që gëzojnë. Sidoqoftë, është ende herët për të dhënë piketa të sakta për shanset që ka secili ekip, por është fakt që fitorja e djeshme e Flamurtarit ndaj Besës së Kavajës i ka sjellë vlonjatët në vend të dytë, me një pikë prapa Skënderbeut, duke e bërë rivalitetin në Kategorinë e Parë të përqendrohet në aksin Korçë-Vlorë, një rivalitet që në fakt ka qenë i spikatur vite më parë edhe kur të dyja skuadrat luanin në elitë.

Fitorja e Flamurtarit me Besën, shkëlqen Merlim

Besa e Kavajës dhe Flamurtari mbyllën raundin e 17-të të Kategorisë së Parë, ku vlonjatët fituan me “poker”, ndonëse nga minuta e 62-të ishin me 10 lojtarë pasi Liçaj mori karton të kuq. Sfida vazhdoi me barazim pa gola, deri në minutën e 7-të, kur Merlim zhbllokoi sfidën duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Më pas në minutën e 36-të Souza de Oliveira realizoi golin e dytë për Flamurtarin. Në minutën e 54-t Merlim realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën. Vendasit tentuan të reagojnë, duke realizuar në minutën e 58-të me Hoxhën. Ndërsa Flamurtari nuk u ndal me aq, në minutën e 61-të Merlim realizoi tripletë dhe njëkohësisht bëri “poker” për ekipin e tij. Një minutë më pas Liçaj mori karton të kuq dhe Flamurtari luajti pjesën e mbetur të ndeshjes me një lojtar më pak. Pas këtij raundi Flamurtari ngjitet në vend të dytë me 32 pikë, një më pak se Skënderbeu kryesues, teksa Besa Kavajës qëndron në vend të pestë me 24 pikë.
Dinamo ndan rrugët me Deden, i beson ish-trajnerit të Partizanit
Ashtu siç u paralajmërua më herët në media, Dinamo vendosi të mbyllë bashkëpunimin me trajenrin Nevil Dede. Humbja e të shtunës me Tomorin 0-1 në kryeqytet vulosi përfundimisht fatin e 48-vjeçarit në kampin e 18-herë kampionëve të Shqipërisë. Vetë “Blutë” e konfirmuan lajmin në faqen zyrtare në Facebook duke theksuar se ndërprerja e kontratës me Deden u bë me mirëkuptimin e të dyja palëve. Dede u largua pas 17 javësh në krye të pankinës dinamovite duke e lënë ekipin në vendin e tretë të Kategorisë së Parë me 31 pikë, 2 më pak se Skënderbeu kryesues. Në 3 javët e fundit, ai grumbulloi 1 barazim dhe 2 humbje. Më pas, Dinamo nuk humbi kohë për të gjetur pasuesin e Dedes. Ish-trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti merr zyrtarisht drejtimin e ekipit. Atij i bashkohet në staf ish-futbollisti dhe specialisti i futbollit, Luan Pinari. Lajmi u konfirmua në faqen zyrtare të klubit dinamovit në Instagram.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here