Ish-presidenti Ilir Meta nisi të merrte tatëpjetën sa i takon imunitetit qysh në nëntor të vitit që shkoi, kur në dyert e SPAK u shfaq zoti Petrit Ahmeti, kreu aktual i ERE. Edhe pse në këto 30 vite ka zëra dhe dyshohet se zoti Meta është zhytur thellë në shumë afera dhe zullume, gjithmonë ai i ka shpëtuar ndëshkimit dhe darëve të drejtësisë. Por kjo hegjemoni duket se është venitur, pasi më në fund drejtësia ka trokitur në derën e kreut të Partisë së Lirisë. Javën që shkoi ka pasur një zhvillim të bujshëm nga SPAK, teksa Meta u mor mbi 3 orë në pyetje për aferën “CEZ-DIA”. Mund të themi se bëhet fjalë për një prej aferave më të rënda të qeverisë “Meta-Berisha”. Ish-presidenti dyshohet se ka favorizuar CEZ me uljen e çmimit të energjisë në këmbim të marrëveshjes me DIA për mbledhjen e borxheve. Hetimet kanë nisur në kuadër të një padie që ka bërë në SPAK, juristi Romeo Kara. Ky i fundit ka dhënë aty detaje se si janë grabitur miliona, ndërkohë që mësohet se SPAK ka bindur dhe disa ish-bashkëpunëtorë të Metës të flasin. Një ndër ata dyshohet se është Elvis Mata, një ish-drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005. Ndërkohë SPAK tentoi të bindë të flasë dhe vetë kreun e DIA, Kastriot Ismailaj. Ai është marrë disa herë në pyetje.
Ja kush e fundosi Metën
Por përveç dëshmive të ish-drejtorit të DIA, Elvis Mataj që bashkëpunoi me SPAK, pozitën e Ilir Metës e ka rënduar edhe kryetari i ERE, Petrit Ahmeti, i cili në atë kohë ishte zyrtar i lartë në këtë ent publik, ndërsa më 13 tetor 2013 Ilir Meta e emëroi kryetar të ERE. Më 1 nëntor 2022, sikundër gazeta “SOT” e bëri më me dije asokohe, Petrit Ahmeti është thirrur në SPAK nga prokurori Altin Dumani, ku është pyetur për afro 3 orë, lidhur me aferën e “CEZ-DIA”, si zyrtar i ERE që kishte hartuar raportin financiar për mbledhjen e borxheve e çmimeve të energjisë, dhe kishte bërë negociatat teknike me CEZ e KESH, dhe si ortak i Kastriot Ismailajt në kompaninë “ASSET Sh.p.k”. Gjithashtu, Petrit Ahmeti është pyetur për njohjet dhe lidhjet e tij me Ilir Metën; për rolin e Ilir Metës në sajimin e kontratës CEZ-DIA, si person i interesuar e me pushtet, që ka ndikuar në KESH e CEZ dhe si përfitues hapur apo ilegalisht nga ky biznes i Kastriot Ismailajt. Në dëshminë me 26 faqe për 42 pyetje të bëra në SPAK, kreu i ERE, Petrit Ahmeti, e dyshohet se ka “groposur” Ilir Metën, duke thënë se ishte i interesuar për kontratën CEZ-DIA dhe ka vënë në lëvizje mekanizmat shtetëror urdhërues e vendim-marrës me dijeni edhe të kryeministrit Sali Berisha. Po ashtu, sipas dëshmisë, mësohet se Petrit Ahmeti ka pranuar faktin se në vitin 2010, bashkë me vëllain e tij Vilson Ahmeti, me Ilir Metën, bosin çek Josef Hajsek dhe Kastriot Ismailajn, kanë qenë 3 herë në zyrën e Sali Berishës në kryeministri, për skenarin e mbledhjes së borxheve të energjisë. Pra, nisur nga këto zhvillime të forta, duket qartë se dosja e Ilir Metës sa i takon aferës “CEZ-DIA”, filloi të “qepej” që në nëntor të 2022.
Akuzat për Metën
Megjithatë, Meta është fundosur për këtë çështje edhe nga disa akuza që janë hedhur në adresë të tij. Më konkretisht avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendonin se kishin prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni Kastriot Ismailaj. Meta akuzohej se kishte marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave rrjedhën pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013. Në atë kohë kjo kompani quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendonte se Meta kishte qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh. Këto shuma sipas akuzave të Chance ishin përfituar nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj aktualisht ndodhet në burg i dënuar me 11 vjet heqje lirie. Ai u akuzua se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek. Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009. Në këtë formë duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE. Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje.