Opozita kërkoi t’i hiqte mandatin, zbardhet vendimi që mori Gjykata Kushtetuese për Olta Xhaçkën, fati i ministres në dorën e Parlamentit

0
216

Gjykata Kushtetuese vendosi pas afro 1 muaji të rikthejë në Kuvendin e Shqipërisë çështjen e heqjes ose jo të mandatit të deputetes për Ministren e Punëve të Jashtme dhe Europës, Olta Xhaçka, për akuzën e konfliktit të interesit teksa bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS, Artan Gaçi u shpall nga qeveria aktuale “investitor strategjik” në Himarë. Në këtë situatë, GJK detyron Parlamentin që të vendosë nëse kjo çështje duhet të dërgohet ose jo për vendim përfundimtar te vetë institucioni i drejtësisë kushtetuese. “BIRN” zbardhi dje një pjesë të 2 vendimeve të “Kushtetueses” lidhur me 2 kërkesat respektive të 2 fraksioneve të Partisë Demokratike, PD zyrtare dhe “Foltorja”. Në këtë situatë, trupi gjykues miratoi kërkesën e grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj (PD zyrtare) që Kuvendi duhet të bëhet fije përçuese e zgjidhjes së problemit në GJK. Nga ana tjetër, kërkesa e 28 deputetëve të “Foltores” së drejtuar nga Berisha nuk u pranua, me argumentin se duhet të ndiqet rruga kushtetuese ligjore për heqjen ose jo të mandatit të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk dihet se cili do të jetë vendimi i radhës së mazhorancës socialiste, por gjasat janë që ata ta mbrojnë sërish ministren Xhaçka.

Vendimi i parë pro-kërkesës së grupit të Alibeajt

Në vendimin e parë për kërkesën e grupit demokrat të drejtuar nga Alibeaj me 14 deputetë, Gjykata Kushtetuese u shpreh me shumicë votash 6-3, se Kuvendi ka kryer shkelje ligjore duke rrëzuar raportin e deputetëve të opozitës në Këshillin e Mandateve për dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese. Pro këtij vendimi ishin kryetarja e GJK, Holta Zaçaj, Gent Ibrahimi, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Elsa Toska dhe Marjana Semini. “Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e shumicës. 3 anëtarët e tjerë të GJK Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska u shprehën kundër grupit të Alibeajt dhe pretenduan që të merrej në konsideratë kërkesa e grupit të Berishës që Gjykata Kushtetuese të vendoste për mandatin e Xhaçkës pa pritur veprimin e Kuvendit.

Vendimi i dytë, GJK nuk pranon kërkesën e grupit të Berishës

Në vendimin e dytë për kërkesën e 28 deputetëve të kryesuar nga Sali Berisha, u refuzua që të merrej për bazë shqyrtimi i drejtpërdrejt i mandatit legjislativ të ministres Olta Xhaçka nga Gjykata Kushtetuese. Me votim 5-4, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese arsyetoi se nuk mund të kryejë një veprim të tillë pa pritur përgjigjen e Kuvendit të Shqipërisë. Kundër kësaj kërkese u shprehën Holta Zaçaj, Sandër Beci, Ilir Toska, Marjana Semini dhe Gent Ibrahimi, ndërsa pro votuan Sonila Bejtja, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska.
“Për sa kohë që ky i fundit nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatë, juridiksioni i saj për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shkelje të ndalimeve sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, nuk është aktivizuar,” thuhet në vendim. Tashmë, në këtë situatë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të japë sërish përgjigje nëse mandati i deputetes Olta Xhaçka duhet të shkojë për gjykim ose jo në Gjykatën Kushtetuese.
Çfarë thotë pika 3 e nenit 70 të Kushtetutës për mandatin e deputetit/es?
“Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”, thuhet në këtë pikë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Avokati i Xhaçkës: Kërkesat e PD të pabaza, kanë kaluar afatet

Genc Çifligu, përfaqësuesi ligjor i konsideroi të pabaza pretendimet e opozitës në seancën e 18 janarit në Gjykatën Kushtetuese se klientja e tij ka përfituar prona publike në kundërshtim me ligjin. Ai bëri me dije se nuk ekziston kontratë e kompanisë së bashkëshorti të saj Artan Gaçi, ish-deputet i PS me bashkinë e Himarës për ndërtimin e resortit. Po ashtu, ai u mbrojt se kërkesa e 2 fraksioneve të PD janë të paligjshme pasi kanë kaluar afatet kohore pët t’u ankuar ligjërisht. “Xhaçka si anëtare e kabinetit qeveritar nuk rezulton të ketë përfitime nga të mirat publike. Kërkimet e paraqitura nuk legjitimohen që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk ka asnjë kontratë të lidhur mes shoqërisë dhe bashkisë Himarë, pasi ndodhemi ende në procesin e ndërtimit të strukturës hoteliere. Fakti se deputetët i janë drejtuar Kuvendit në 1 korrik 2022, nuk i legjitimon pasi ka kaluar afati. Afati nis me botimin e vendimit te qeverise për investitorin strategjik më datë 9 mars 2022 në Fletoren Zyrtare”, tha ai.

Përfaqësuesi i Kuvendit deklaroi se parlamenti do t’i rrëzojë sërish kërkesat e PD

Në mbrojtje të ministres Xhaçka doli dhe përfaqësuesi ligjor i Kuvendit të Shqipërisë, Erind Mërkuri. Ai deklaroi në seancën e 18 janarit në GJK se Parlamenti do ta rrëzojë sërish kërkesën e PD për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës, pasi veprimet ligjore të saj si deputete nuk mund të bashkohen ose lidhen me ato të familjarëve të saj, në këtë rast bashkëshortit të vet. Në 18 nëntor të vitit të kaluar, mazhoranca votoi me 73 vota pro dhe 21 kundër raportit të deputetëve socialistë në Këshillin e Mandateve për Olta Xhaçkën, duke e shpëtuar nga heqja e mandatit të deputetes. Më pas, dy grupet e PD iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me 2 kërkesa për Xhaçkën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here