Ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj është shprehur se ai nuk ka hedhur asnjë firmë për inceneratorin e Elbasanit, e ndërsa ka hedhur akuza në drejtim të gazetarit Adriatik Doçi i cili e ka zbardhur këtë aferë.
“Nuk kam asnjë firmë në procedurë për inceneratorin e Elbasanit, firma ime është vetëm mendim për një vendim të këshillit të ministrave”, tha Ahmetaj, teksa e ka cilësuar Doçin si “mercenar”.
Nisur nga kjo akuzë, nuk ka munguar përgjigja e gazetarit Doçi i cili ka zbuluar për herë të parë se Ahmetaj i ka dërguar 2 persona për ta blerë me qëllim që të mos e dërgojë çështjen në SPAK.
“Mbaj përgjegjësi penale nëse pagesat e Klodian Zotos janë të pavërteta. Arben Ahmetaj më ka futur dy biznesmenë për të më blerë, që të mos bëj kallëzimin dhe që të hesht. Kur miqtë e tij më kanë bërë kërkesën, Ahmetaj qëndronte në paradhome duke dëgjuar. Kam refuzuar çdo oferte korruptive”, ka thënë Doçi.



































