Strakosha rrëfen aventurën e tij angleze dhe lidhjen emocionale që ka me Lacion

0
233

Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha, ka dhënë një intervistë për sajtin e njohur grek, “sport24.gr”, ku ka bërë një rezyme të ecurisë së karrierës së tij, kulmin e performancës me Lacion në Itali, si dhe aventurën e re me Brentfordin në Premier League angleze. 27-vjeçari ka vënë në dukje vështirësitë pas dëmtimit muaj më parë, përgatitjet për t’u kthyer në fushë, si dhe raportet që ruan me shokët e tij tek Lacio apo dhe fjalët e mira për ish-trajnerin e tij lacial Simone Inzagi. “Kur zgjodha Lacion, ishte një mundësi për të shkuar dhe te Roma. Por më pas unë kisha një takim me trajnerin e portierëve të Lacios, Adalberto Grigioni dhe zgjodha që të shkoja atje, edhe pse Roma më ofroi diçka më shumë që ishte më mirë për familjen time. Grigioni gjithmonë më ka vlerësuar, më bëri të besoja se krah tij mund të bëhesha më i mirë dhe mund të shkoja kudo. Prandaj nuk zgjodha paratë, por ëndrrën time”, ishin fjalët e para të portierit shqiptar. Duhet thënë se Strakosha ka pasur një karrierë brilante me Lacion në Serie A, duke luajtur disa vite si titullar dhe në të paktën dy sezone pati minutazh të madhe, ndër lojtarët me më shumë minuta në kampionatin elitar italian. Por edhe pse ka kaluar në Premier League angleze, Strakosha ka nostalgji për kampionatin italian dhe një ditë ai mund të kthehet aty.

Lidhja emocionale me Lacion

Portieri i Kombëtares Thomas Strakosha ka kaluar në Angli dhe për këtë thotë se ka qenë një dëshirë e tij të luante në një kampionat cilësor e më të bukurin në botë, si dhe të shijonte një eksperiencë të re në karrierën e tij. Mbi të gjitha ai foli për aventurën me Lacion, kujtimet e bukura dhe njëherësh debutimin fantastik kundër Milanit. “Unë kurrë nuk do ta harroj debutimin kundër Milanit. Nuk kisha kohë të shqetësohesha pasi e mora vesh në minutën e fundit. Simone Inzagi më donte shumë dhe ishte ai që më bëri nga zgjedhje ë tretë në të dytë dhe më pas të parë. Inzagi është një trajner i mirë, e gjithë skuadra e donte. Ai ishte njeriu që më hoqi stresin. Dinte kur të bënte shaka, kur të ishte serioz dhe kjo gjë e ndihmoi skuadrën që të ecte përpara. Me fjalë të tjera ishte si një baba për mua”, nënvizoi Strakosha. Më tej “gardiani” i portës së ekipit kombëtar të Shqipërisë foli edhe për ndarjen e tij me Lacion, një ndarje që nuk ishte e lehtë. “Ishte ëndrra ime që të luaja në Premier Ligë, prandaj nuk i pranova ofertat nga klubet e ligave të tjera. Unë vërtet që refuzova çdo klub tjetër vetëm që të vija në Premier Ligë dhe mendoja se Brentfordi ishte klubi i duhur për mua pas një dekade të shpenzuar në një kub. Duhet pak për t’i rregulluar gjërat, sepse mes kampionatit anglez dhe atij italian diferencat janë shumë të mëdha”, përfundoi 27-vjeçari.

Kombëtarja

Ekipi përfaqësues do të grumbullohet në mars në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Kampionatin Europian dhe Strakosha me siguri që do të ftohet, jo vetëm pse nuk kemi shumë zgjedhje më të mira në këtë çast, por edhe për të pasur një shans të ri në karrierën e tij. Në kushtet kur Etrit Berisha nuk ka luajtur me Torinon në Serie A, për Strakoshën kjo është një mundësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here