Mançester Sitit i ikën fitorja nga duart përballë Leipzigut, Lukaku shpëton nderin e Interit

0
170

Liga e Kampioneve dhuroi mbrëmë emocione të forta. Mançester Siti barazoi 1-1 në transfertë me Leipzig, kurse Interi mundi me një gol të Lukakut Porton 1-0. Në duelin e parë, në Gjermani, në minutën e 27-të ishte Mahrez që shënoi për anglezët, duke i dhënë avantazhin skuadrës së trajnerit Pep Guardiola. Në fakt, Mançester Siti ishte dominues në fushë, nisur së pari nga epërsia teknike e grupit të lojtarëve që disponon, pasi dihet që Siti është një prej skuadrave më të forta të botës dhe me lojtarë të nivelit shumë të lartë. Pjesa e parë mbyllet me një epërsi aq të madhe të anglezëve sa duket nga shifrat dhe nga statistikat e takimit. Mbajtja e topit në favor të Sitit ishte 74%, kurse raste goli 7-1 e goditjet në portë 2-1. Kuptohet, stili që aplikon Guardiola është një dominim i fushës nëpërmjet kontrollit të topit dhe pasimeve të shkurtra e të sakta. Në pjesën e dytë, “qytetarët” anglezë vijuan ta ruanin kontrollin e topit dhe krijuan volum të madh loje në mesfushë, duke mos i dhënë shumë hapësirë Leipzigut të pretendonte për ta përmbysur rezultatin e takimit. Loja bëhet me intensitet në mesin e pjesës së dytë, pasi gjermanët luajnë me të gjitha kartat. Në minutën e 70-të këmbëngulja e tyre jep efekt, pasi Gvardiol shënoi golin e barazimit, pra 1-1. Kjo bëri që Siti të ulë disi ritmin dhe të mendojë për mbrojtjen. Ky ndryshim strategjie i dha kurajë Leipzigut që rriti ndjeshëm parametrat e lojës, duke regjistruar statistika të mira në sulm. Por në fund mbyllet 1-1, duke e lënë të hapur fatin e kualifikimit. Ndeshja tjetër e luajtur mbrëmë ishte ajo mes Interit dhe Portos. Zikaltrit konsideroheshin favoritë, por ata hasën në vështirësi që në minutat e para, pasi portugezët zbatuan një sistem mbrojtjeje efikase, me angazhim maksimal të lojtarëve dhe bënë në tërësi një lojë taktike të admirueshme. Me kalimin e minutave Interi e rriti forcën sulmuese, krijoi disa raste, por pa mundur të shënojë, gjë që do të ndryshonte rrjedhën e takimit. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, me dominimin e dukshëm të italianëve por me një presion në rritje për skuadrën e trajnerit Simone Inzagi. Në pjesën e dytë, u përsërit si “fotokopje” e njëjta tablo e pjesës së parë. Portugezët menduan si të administronin nervat e kundërshtarit, duke u kujdesur për mbrojtjen. Dhe e bën mirë Porto këtë rol deri në minutën e 78-të, kur Otavio mori kartonin e dytë të verdhë, pra doli me karton të kuq, duke mbetur me 10 vetë në fushën e lojës. Kjo bëri që Porto të shtrëngohet në mbrojtje e Interi të rrisë tempin sulmues. Dhe presioni do të jepte efekt, pasi Lukaku shënon në minutën e 86-të. Me këtë rezultat, pra 1-0, mbyllet kjo ndeshje, një rezultat që favorizon Interin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here