Udhëheqësi i opozitës ruse i burgosur Alexei Navalny publikoi një plan prej 15 pikash që përshkruan vizionin e tij për të ardhmen e Rusisë në epokën e pasluftës, duke parashikuar humbjen ushtarake të Rusisë dhe duke përshkruar planet e tij për ta transformuar Rusinë në një republikë parlamentare. I titulluar “15 tezat e një qytetari rus që dëshiron më të mirën për vendin e tij”, ky plan u bë publik në rrjetin social twetter katër ditë para përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Navalny e quajti të padrejtë. Menjëherë pas publikimit plani u bë shumë i njohur dhe u komentua në të gjitha mediat. “Kombinimi i luftës agresive, korrupsionit, gjeneralëve të paaftë, një ekonomie të dobët nga njëra anë dhe heroizmit dhe motivimit të lartë të forcave të mbrojtjes nga ana tjetër mund të rezultojë vetëm në disfatë”, shkroi Navalny në Twitter. Navalny tha se kufijtë e Ukrainës dhe Rusisë ishin të njohur dhe përcaktuar ndërkombëtarisht në 1991, duke shtuar se nuk kishte asgjë për të diskutuar, pavarësisht faktit se ai dhe ekipi i tij mbetën të paqartë në pozicionin e tyre për kthimin e Krimesë së aneksuar në Ukrainë. “Rusia është mjaft e madhe ashtu siç është. Qëllimi ynë duhet të jetë të ruajmë njerëzit tanë dhe të zhvillojmë atë që kemi me bollëk”, shkroi Navalny. Duke bërë thirrje për çmontimin e regjimit të Putinit dhe krijimin e një republike parlamentare të bazuar në decentralizim, ai vuri theksin se Rusia duhet të jetë pjesë e Evropës si dhe u shpreh se është në dobi të Rusisë të zgjedhë rrugën evropiane të zhvillimit. Navalny është i burgosur duke vuajtur dënimin me nëntë vjet për mashtrim. Ai aktualisht po përballet me akuza të reja për terrorizëm që mund ta bëjnë atë të dënohet me 30 vjet të tjera burg.



































