Erion Alibej urdhër nga qelia për ekzekutimin e “Otit të Elbasanit”, policia zbardh detajet se kush janë 2 personat e arrestuar në Elbasan

0
125

Armët që policia zbuloi të dielën brenda makinës BMË X6 të braktisur pranë shtëpisë së të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, dyshohet se do të shkrepeshin ndaj Elton Kikës, rivalit të tij kryesor në konflikte të vazhdueshme për trafikun e narkotikëve, i cili i njihet edhe si Oti i Elbasanit, të cilin tentoi ta vriste edhe Nuredin Dumani në vitin 2022, me porosi të Suel Çelës. Porosia dyshohet se u dha nga qelia, por hetuesit nuk kanë ende asnjë provë që të akuzojnë zyrtarisht Alibejn, urdhërues të disa vrasjeve për të ndodhet në burg. Në duar, hetuesit kanë  çelësin e makinës me armë të gjendur brenda një çantë të hedhur në kosh mbeturinash pranë banesave të familjarë të Alibejt, bashkë me dy dokumente identifikimi false me emra grek por me foton e kunatit të Erion Alibej, Arben Spahiu. 53-vjeçari u arrestua bashkë me mikun e tij Arsen Preçi 44 vjeç, që e ka shtëpinë vetëm 20 m larg Alibejve, dhe dyshohet se kishte armët, ndërsa Spahiu dyshohet se do bënte atentatin. Dyshohet se pasi makina e parkuar pranë zonës së ish-Konservimit, është gjetur nga policia, Arben Spahiu ka hequr çdo gjurmë të mundshme nga shtëpia duke i paraprirë kontrollit nga policia, dhe ka hedhur në kosh çantën ‘marsup’ brenda së cilës kishte dhe 1 pistoletë. Automjeti i armatosur deri në dhëmbë, rezulton të jetë vjedhur në 6 shkurt 2023 në Shkodër dhe ka qëndruar rreth 2 javë pranë banesës së Erjon Alibejt. Vetëm 20 metra më larg ndodhet edhe shtëpia e Arsen Preçit. Arben Spahiu, është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë në 2020-ën dhe Rigers Spahiut, i arrestuar në 2022 me arsenal armësh në Elbasan.

Plagoset një 32-vjeçar në Shkodër

Ndërkaq, një plagosje ka ndodhur ditën e djeshme në Shkodër. Mësohet se një 32-vjeçar i plagosur me armë zjarri në këmbë është paraqitur në spitalin e Shkodrës. Bëhet me dije se 32-vjeçari me emrin Denis Muja është plagosur në banesën e tij, në rrethana ende të paqarta. “Në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, është paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasi D. M., 32 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”. 32-vjeçari është dëmtuar lehtë në këmbë, dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në banesën e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, njoftoi dje policia.

Shefki Bylykbashi mbetet në qeli

Ndërkohë Shefki Bylykbashi, 77-vjeçari i cili vrau të birin Hamdi Bylykbashi, për vetëmbrojtje, pak ditë më parë në Maliq në fshatin Zvezdë është lënë dje në burg. Avokati i 77-vjeçarit Nevzat Tarelli tha se ka dyshime se mund të kemi të bëjmë me një vrasje e në kushtet të vetëmbrojtjes, kjo edhe për shkak se viktima kishte varësi nga alkooli dhe ushtronte dhunë permanente.  Në sallë nuk është i pranishëm asnjë familjar i tij. 77-vjeçari Shefki Bylykbashi akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare. Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, por pas hetimeve të kryera nga policia e Korçës është zbardhur, duke çuar në pranga Shefki Bylykbashin, 77-vjeç, i cili me sende të forta qëlloi të birin në kokë, Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç që ndërroi jetë në spital.

Shpërndanin kanabis në Shkodër, kapen 4 të rinjtë

Nga ana tjetër, 4 të rinj kanë rënë dje në prangat e policisë në Shkodër, pasi u kapën duke shitur kanabis. Në banesën e njërit prej të arrestuarve, policia gjeti një pjesë të kanabisit, armët dhe municionin luftarak. Gjatë operacionit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin këta persona dhe si rezultat i kontrollit gjetën një sasi lënde kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Box 1

Kapet me 11 qese kanabis, vihet në pranga 18-vjeçari në Korçë

Policia e Korçës ka vënë dje në pranga një 18-vjeçar, pasi u kap me një sasi droge që do ta shpërndante në qytet. Policia bën me dije se gjatë kontrollit në mjetin “Mercedes-Benz” iu gjetën 11 doza kanabis të ndara në qese të vogla, një peshore dhe 1 grirëse me mbetje të dyshuara narkotike kanabis. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin N. M., 18 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se ky shtetas ushtronte këtë aktivitet të paligjshëm, e kanë ndaluar atë, në lagjen nr. 10, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, u gjetën 1 grirëse me mbetje të dyshuara narkotike kanabis, 1 peshore e vogël elektronike dhe 11 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi dje policia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here