Zgjedhjet e 14 majit, nënkryetarja e KQZ: Na duhen 5 mijë të rinj, shqetësim mungesa e operatorëve për zbatimin e teknologjisë

0
163

Të ikurit e të rinjve apo mosdëshira për t’u përfshirë në procese zgjedhore po shqetëson Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afër zgjedhjeve vendoreve të 14 majit, KQZ-së i duhen të rinjtë e arsimuar për t’i rekrutuar si operatorë për zbatimin e teknologjisë, atë të identifikimit dhe votimit elektronik. Në një intervistë për mediat dje, nënkomisionerja Lealba Pelinku shprehet se nuk e përjashton mundësinë që në disa qendra të largëta votimi të ndeshen më mungesë operatorësh. “Parë edhe përvojën e 25 prillit, atë të 6 marsit edhe pse e pjesshme, e dhënë faktike është ikja e vazhdueshme e kryesisht e të rinjve, kemi pritshmërinë e përballjes më këtë lloj problematike për sa i takon mbulimit të çdo qendre votimi me operatorë që do të përdorin pajisjen e identifikimit elektronik”, deklaroi ajo. Më tej zonja Peleniku theksoi se dy proceset e fundit zgjedhore identifikuan shqetësimin që ajo ngre në disa zona. “Për shembull kemi hasë problematikë për zgjedhjet e 25 prillit me zonën e Dropullit, ku konstatonim që popullsia e mbetur ishte vetëm e moshuar, zona e Selenicës, zonat e thella malore si Shosh, Pult dhe Shalë”, u shpreh ajo. Por teksa nevoja për operatorë është mbi 5 mijë të rinj, nga ata me arsim të lartë në teknologjinë e informacionit e deri te ata vetëm me gjimnaz, zonja Lealba Pelinku thotë sesi masë paraprake do t’i kërkohet Komisionit Rregullator që në ato zona ku mungojnë operatorët të hiqet kufizimi i vendbanimit. Pra, siç thotë ajo, jo me patjetër operatori duhet të jetë nga e njëjta zonë ku ai ushtron të drejtën e votës. “Duke vënë në balancë të drejtën e votës për operatorin”, nënvizoi Nënkomisionerja e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku. Kujtojmë se mosgjetja e operatorëve me gjithë pagesën e kënaqshme, 15 mijë lekë vetëm për një ditë punë u ndesh edhe në parlamentaret e fundit. Në tre për qind të qendrave të votimit nuk u zbatua identifikimi elektronik për shkak të mungesës së operatorëve. Nga KQZ-së kjo shifër synohet të mos rritet dhe për këtë arsye pavarësisht interesimit ose jo, të parët që do të telefonohen janë operatorët e angazhuar në dy proceset e fundit zgjedhore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here