Ndryshe nga Kosova, që ka një sistem të qartë pikëzimi në varësi të performancës së çdo federate sportive e çdo sportisti, në Shqipëri ndarja e fondeve për sportin bëhet ende sipas preferencave partiake, në varësi të njohjeve që kanë sekretarë e presidentë federatash tek dikasteri qeveritar i linjës, apo teka të ndryshme që vijnë nga vendimmarrja. E nga ana tjetër, sporti ynë gjithnjë e më shumë po humb masivitetin dhe po mbetet me pak kokrra cilësore për pjesëmarrje dhe përfaqësim ndërkombëtar. Siç dihet, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur një fond prej 1 miliardë e 494 milionë lekë të vjetër për 17 federatat e shumësportëshit në Shqipëri për vitin 2023, një shumë kjo më e ulët në raport me një vit më parë, 1.8 miliardë, i shpërndarë në dy këste. Pra, ndarja e fondit grant apo siç njihet ndryshe e buxheteve vjetore për federatat sportive ka sjellë pakënaqësi tek disa federata e figura sportive dhe ulja e buxhetit për atletikën duket se ka nxehur edhe sportisten elitare Luiza Gega, e cila ka reaguar dje me një status në facebook. “Sinqerisht, kam vërtet përshtypjen që ministrja Evis Kushi s’ka dijeni për këtë logjikën e ndarjes së këtij buxheti. Shpresoj që ta shikojë sa më shpejt. Personalisht si sportiste elitare nuk kam ndonjë interes sado që të jetë buxheti i Federatës por duke qenë se ai ndahet nga performanca që kanë pasur sportistët vitin e kaluar, ndihem e ofenduar që Federatës sime, në vend që t’i ngrihej buxheti, përkundrazi, i është ulur dhe disa Federatave të tjera, ku me gjithë respektin kur ta meritojnë”, shkruan Luiza Gega.
Stërmasi: Kur s’ke buxhet për stërvitje, s’ka vlerë shpërblimi për medaljet
Prekës ka qenë edhe qëndrimi i trajnerit të Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, i cili ka ironizuar me shpërblimet, duke thënë se sa kohë nuk ka fond për stërvitje, si mund të pretendosh të fitosh medalje. “Kjo çështje është shqetësuese sidomos në rastin e Luizës pasi në momentin që ke rezultate të mira, buxheti duhet të jetë më i lartë. Në të gjithë historinë e atletikës ka qenë viti më i suksesshëm, pasi kemi 6 medalje të arta, 2 medalje të argjendta, kampione e Europës Luiza, kampione mesdhetare, vendi i 5-të në botë dhe në federata e tjera ka rritje ndërsa në atletikë ka ulje. 70% e buxhetit duhet të shkoj për sportin elitar dhe duhet të mendojmë si ta çojmë përpara këtë sport. Luiza ka detyrë të stërvitet dhe jo të flasë me Ministrinë, nuk është kjo detyra ime apo e Luizës. Me këtë vendim do të kemi një buxhet më të vogël për tu stërvitur, do bëjmë më pak aktivitete kombëtarë dhe ndërkombëtare. Financiarisht është turp që diskutojmë për këto gjëra. Duhet të reagojmë të gjithë ne të atletikës, pretendojmë për medalje të tjera, kam respekt dhe për federatat e tjera por nuk shoh që mund të sjellin medalje. Si mund të mos ndjehet keq sportisti kur e di që nuk ka mundësinë ti kërkojë Federatës mbështetje kur nuk ka fonde? Është më i rëndësishëm stërvitja se sa shpërblimi. Duhet të ketë fonde të mjaftueshme për të përgatitur të rinjtë, po kërkojmë një buxhet dinjitoz”, nënvizoi ai.