Katër zyrtarë të Bashkisë së Dimalit dhe dy përfaqësues të një firme private janë arrestuar dje pasdite me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Prokuroria e Posaçme bën me dije se në vitin 2020 ka regjistruar një procedim për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 245/1 dhe 248 të Kodit Penal. Pas më shumës e dy vitesh hetimesh, prokurorët kanë zbuluar një skemë korrupsioni nga funksionarët e bashkisë në bashkëpunim me një kompani private. Për pasojë, janë vënë në pranga: shtetasi me iniciale A.P, Drejtor i Urbanistikës Bashkia Dimal; A. Ç., Specialist te Emergjencat Bashkia Dimal; A.G., Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve Bashkia Dimal dhe shefi i transportit.
Skema e abuzimeve
Në vitin 2020, një banor i Njësisë Administrative Poshnje, në Bashkinë e Dimalit, ish-Ura Vajgurore, ka bërë një kallëzim penal ndaj kryetares së Bashkisë, Juliana Memaj dhe dy punonjësve të zyrës së Urbanistikës në këtë bashki, përkatësisht shtetasit me iniciale A. Ç., dhe P. Pilo. Qytetarime iniciale P.B, në kallëzimin e bërë akuzon bashkinë e Dimalit dhe kryebashkiaken Memaj, se i kanë dëmtuar biznesin e ngritur në një pronë publike të cilën ai e posedonte që prej fillimit të viteve 90’ në marrëveshje me bashkinë, me justifikimin se do të ndërtohej lulishte, por sipas tij pas prishjes prona i është kaluar një qytetari tjetër. Sipas kallëzimit, bashkia ka cenuar pronën e familjes B, pas një urdhri të firmosur nga kryebashkiakja në të cilin kërkohej lirimi i pronës pasi ajo prekej nga punime publike për një lulishte. Më 25 nëntor 2020, sipas kallëzimit, në të njëjtën pronë kanë nisur të punohet për ndërtimin e një objekti që sipas kallëzuesit është po ashtu privat dhe jo lulishtja që ishte njoftuar. Sipas kallëzimit, punimet për lulishte nga ana e Bashkisë, nuk kanë pasur si qëllim zgjerimin e hapësirave publike, por të favorizonin personin tjetër, me të cilin kallëzuesi pranon se ka pasur një konflikt pronësie. Kallëzuesi pretendonte se kryebashkiakja Memaj, shtetasit me iniciale A. dhe P. P., kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë shkatërruar pronën private. Ndwrkohw burime jo zyrtare bëjnë me dije se shkak janë bërë abuzimet me lejet e ndërtimit. Kjo sepse siç mësohet 4 zyrtarët jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit që varionte nga 2500 euro deri në 3 mijë euro. Mirëpo kjo nuk është e vetmja, pasi jepnin lejet e ndërtimit, i impononin qytetarët që ndërtimin në terren nga qytetarët të bëhej pikërisht nga kompania e preferuar e zyrtarëve të bashkisë. Pra kemi të bëjmë me favorizim të kompanive të ndërtimit nga ana e zyrtarëve të bashkisë.
Personat e arrestuar
1. Shtetasi me iniciale A.P. (Arrest me burg), Drejtor i Urbanistikës! I Akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
2. Shtetasja me iniciale V. J. (Arrest shtëpie) Shefe e Urbanistikës në kohën e kryerjes së veprës penale. E akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
3. Shtetasi me iniciale A. C. (Arrest me burg), aktualisht specialist te Emergjencat, ish Shefi i IKMT në kohën e kryerjes së veprës penale! Akuzohet për ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
4. Shtetasi me iniciale A. G. (Arrest me burg), Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve. I Akuzuar për “Shpërdorim Detyre”.
5. Shtetasi me iniciale A. D. (Arrest në burg), inxhinier pranë një shoqërie tregtare! I dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
6. Shtetasi me iniciale V. K. (Arrest në burg) ekonomist, menaxher i një shoqërie tregtare. I akuzuar për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.



































