Google search engine
Home Sport Partizani gjen fitoren e parë për vitin 2023, mund Bylisin dhe rikthehet...

Partizani gjen fitoren e parë për vitin 2023, mund Bylisin dhe rikthehet në garë për titullin

0
126

Java e 21-të e Kategorisë Superiore u mbyll ditën e djeshme me duelin e fundit të kësaj xhiroje, Bylis-Partizani, mbyllur me fitoren e të kuqve 1-0 dhe me një trepikësh që i afron “demat” me Tiranën kryesuese, një fitore që nxjerr në fund të fundit Partizanin nga kriza e rezultateve që e kishte mbërthyer javët e fundit. Në fakt, fitorja e djeshme në Ballsh ishte e para për Partizanin për këtë vit në Superiore, ç’ka tregonte krizën ku ishte mbërthyer ekipi i kuq, por që me trepikëshin e djeshëm i jepet drejtim punës dhe mund të thuhet se skuadra e kuqe është rikthyer në garë për titullin. Në të njëjtën kohë, fitorja ka shpëtuar trajnerin Kolela nga shkarkimi dhe kjo tregon shumë edhe në drejtim të pankinës dhe punës së stafit.

Loja dhe rezultati

Partizani regjistron fitoren e parë në kampionat për vitin 2023, duke mundur në transfertë me rezultatin minimal 0-1 Bylisin. “Demat” kishin marrë 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, duke lëshuar terren në garën për vendin e parë, por në Ballsh më në fund arritën të marrin maksimumin e pikëve. Pjesa e parë ishte e kujdesshme, me Partizanin që ishte më kërkues dhe kishte më shumë iniciativë, megjithatë e pati të vështirë për të shënuar. Në pjesën e dytë Collella bëri lëvizjet e tij dhe një nga lojtarët e aktivizuar nga stoli i dha fitoren. Alfred Mensah i aktivizuar në të 70-ën, shtatë minuta pasi ishte futur në lojë, ktheu në gol një harkim të Hadrojit. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi më, me Partizanin që shkon në kuotën e 34 pikëve duke u pozicionuar në vendin e tretë, në të njëjtën kuotë me Vllazninë e vendit të dytë. Në krahun tjetër Bylisin mbetet në vendin e parafundit me 20 pikë, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë në fundin e tabelës. Në takimet e javës së ardhshme, Partizani do të presë Erzenin, ndërsa Bylis viziton Laçin.

Telushi: Fajin nuk e ka vetëm trajneri, grupi të punojë më shumë

Mesfushori i Partizanit, Bruno Telushi, theksoi pas ndeshjes së djeshme se Partizani ka nevojë për të tjera fitore që të stabilizohet e të rrisë pretendimet e titullit. Ai kujtoi se jo gjithmonë fajin e ka trajneri, ndaj të gjithë lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë në fushë. “Shpresoj shumë që pas këtij rezultati që morëm sot, këto tre pikë, të na japin shumë qetësi se të them të drejtën kemi qenë të ngarkuar nga ana psikologjike e kjo na ka ulur shumë pikë edhe te pjesa e forcës. Pas kësaj, do të marrim ndeshjet me radhë, të tregojmë forcën tonë dhe të bëjmë siç bëmë në fillim të sezonit. Në aspektin personal normalisht që kërkoj të luajë më shumë, dua të luaj më shumë, edhe pse vij nga një dëmtim. Dua të luaj, përshtatem në çdo pozicion që më kërkohet dhe dua të bëj më të mirën time dhe të ndihmoje ekipin e të ecim sa më lart. Unë marr përgjegjësitë e mia, nuk e them kurrë që ka pasur faj trajneri. Faj kemi të gjithë, e marr përsipër, pavarësisht se kam luajtur shumë pak. Jam shumë i fortë se po të mos isha shumë i fortë, nuk do isha duke luajtur nga dëmtimet. Por jam këtu, dua të jap maksimumin tim, të ndihmoj ekipin sa më shumë. Jam i emocionuar se për këtë fanellë jap shpirtin, nuk e di çfarë them”, theksoi Telushi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here