Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka fituar statusin e azilantit politik në Itali, sipas gazetarit Elton Qyno. Gazetari, në një shkrim të publikuar në “Ora Neës”, shprehet se vendimi për dhënien e statusit është marrë nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës, urdhëroi miratimin e kërkesës, duke i hapur rrugën procedurave të mëtejshme të marrjes së pasaportës italiane, që lëshohet përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme. Kjo e bën tepër të vështirë për SPAK, mundësinë e ekstradimit të Llallës në Shqipëri, për vuajtjen e dënimit. Në betejën ligjore të nisur në Gjykatën e Romës, Llalla ka pretenduar se përndjekja dhe dënimi me dy vite burg, ka ardhur si rezultat i ndikimit politik. “Llalla, mësohet të ketë bindur gjykatën, duke i servirur një sërë deklarata sulmesh me eksponentë politikë në Shqipëri dhe jo vetëm, duke pretenduar se procesi penal kundër tij, është ndikuar politikisht. Pretendimet e ish-kryeprokurorit Llalla, janë pranuar nga Gjykata e Romës, e cila ka miratuar kërkesën, duke parë dhe sjelljen e Llallës, gjatë kohës që ka qëndruar përgjatë 1 viti e gjysëm në këtë shtet”, raporton “Ora Neës”. Llalla u dënua me dy vite heqje lirie, në mungesë, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.









































