Dje u luajtën dy ndeshje të javës së 21-të të Superligës, ku padyshim ra në sy fitorja e Vllaznisë kundër Tiranës, një fitore që e ka hapur plotësisht garën për titull dhe u ka dhënë një shans edhe skuadrave të tjera të afrohen në renditje e ta bëjnë garën më cilësore e më emocionuese për javët në vazhdim. Kështu, goli i realizuar nga Herald Marku me 11-metërsh në fillim të pjesës së dytë vendosi sfidën e zhvilluar në “Loro Boriçi”, me bardheblutë që bënë gjithçka për të shmangur humbjen, por pa mundur që të shënonin qoftë një gol. Kuqeblutë, të shtyrë edhe nga mbështetja e tifozëve, ushtruan presion që në minutat e para, megjithatë rasti i parë u krijua nga Hila me një diagonale, që përfundoi mbi tra. Në të 19-tën Bekaj me reflekset e tij çoi në këndore goditjen e Smajlit, ndërsa para përfundimit të fraksionit hapës Tirana u shfaq në disa momente e rrezikshme në zonën e Vllazninë. Ekuilibrat në rezultat u prishën në të 50-tën, kur Marku shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Bekim Balaj në dyluftim me Behiratçen. Tirana tentoi gjithçka në minutat e mbetura për të barazuar rezultatin por goli bardhebluve nuk erdhi e për rrjedhojë festa në fund ishte për Vllazninë, që e ngushton në vetëm tri pikë diferencën me kampionët në fuqi.
Shehi: Penalltia inekzistente, por futbolli kështu e ka
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, e ka quajtur penalltinë e dhënë në favor të Vllaznisë jo të drejtë dhe kësisoj ai ka mbrojtur skuadrën e tij nga humbja. Edhe pse pranon që futbolli i tillë është, ai e sheh dhënien e penalltisë si masë ndëshkuese për rezultatin që mori Tirana në këtë ndeshje. “E kam thënë që do të jetë një ndeshje rivalesh, nuk e meritonim këtë rezultat për atë çfarë dhamë në fushë, dhe ekipi kundërshtar doli me fitore. Ndeshjet e tilla, një gol ndryshon rrjedhën e ngjarjes, ne u munduam të kthenim sfidën kemi djem të rinj që premtojnë dhe nuk duhet të hedhim përgjegjësinë ndaj atyre. Patëm 2-3 raste para portës dhe mund ti zgjidhim më mirë në mbrojtje dhe në sulm, futa dhe Berishën dhe Nikqin kisha gjithë kontigjentin në fushë, edhe kundërshtari ka goxha cilësi, na vendosën në vështirësi, dhe Balaj uli topa të mirë, por ne nuk e merituam humbjen sot. Për mua nuk ishte penallti, por gjithsecili e gjykon si të dojë dhe me atë situatë nuk di çfarë të them. Ne ishim të kujdesshëm pjesën e dytë dhe munduam të ndryshojmë, për efekt të golit po kërkonim të sulmonim. Mos prishni ndeshje mes rivalëve të ketë raste pafund”, u shpreh Shehi.
Teuta barazon me Erzenin, një pikë i kënaq palët
Në stadiumn “Niko Dovana” Erzeni dhe Teuta ndanë pikët pas barazimit 1-1, me golat të shënuar thuajse me ekstremet e lojës. Që në minutën e shtatë Sherif Kallaku zhbllokoi rezultatin me 11-metërsh dhe për minuta të tëra rezultati nuk ndryshoi, për të ardhur më pas në fundin e sfidës, kur një krosim i Asllanit u shfrytëzua nga Leao që e dërgoi topin në rrjetë. Erzeni me pikën e fituar parakalon Partizanin e ngjitet në vendin e tretë, ndërsa Teuta barazon Kukësin në kuotën e 25 pikëve.
Java 21
Të shtunën
Kukësi-Kastrioti 1-0
Laçi-Egnatia 0-1
Të dielën
Erzeni-Teuta 1-1
Vllaznia-Tirana 1-0
Të hënën
Bylis-Partizani 13:00
Renditja
1.Tirana 37
2.Vllaznia 34
3.Erzeni 31
4.Partizani 31
5.Egnatia 30
6.Laçi 29
7.Teuta 25
8.Kukësi 25
9.Bylis 23
10.Kastrioti 20








































