Përplasjet e disa prej klubeve më të mëdha europiane me qeverinë europiane të futbollit (UEFA-n), ka sjellë që çështja të shkojë në dyert e gjykatës dhe kjo e fundit po i jep sadopak hapësirë projektit të ri të Superligës Europiane, e cila shihet si një formulë paralele për Champions League e që në fund të fundit eklipson Ligën e Kampioneve, aktivitetin zyrtar të UEFA-s. Qëllimi është që klubet e mëdha të kenë një ligë të tyre që do të jetë një superligë e klubeve më të mëdha, për të tërhequr vëmendjen dhe audiencën por edhe fitimet e futbollit kontinental. Kështu, “rebelët” e udhëhequr nga Real Madridi, Barcelona e Juventusi i kanë kontaktuar më shumë se 50 klube, të cilëve ua kanë zbuluar 10 pikat e garës së re, të quajtur Superliga Evropiane, e cila synon ta zëvendësojë Ligën e Kampionëve. Ideatorët e Superligës Evropiane e kanë zbuluar pikërisht ditën e djeshme formatin e kësaj lige, të cilën synojnë ta lançojnë për ta zëvendësuar Ligën e Kampionëve. Një garë me disa divizione e projektuar në dy vjetët e fundit, e cila i përmban 60 deri në 80 ekipe me asnjë prej tyre me status permanent, me minimum 14 ndeshje për klub brenda një sezoni. Me këtë rast, tri klubet “e rebeluara”, Real Madrid, Barcelona dhe Juventus po e vazhdojnë betejën e tyre me UEFA-n. Ato e morën një krahë të fortë nga një gjykatë e Madridit, e cila e vlerësoi si të drejt iniciativën e tyre për krijimin e një lige të re private evropiane, ndërkohë që e paralajmëroi UEFA-n dhe FIFA-n që të mos kërcënojnë apo dënojnë ndonjë klub a lojtar që e nis këtë iniciativë. Kërcënimet e UEFA-s kishin bërë që pjesa dërrmuese e klubeve të tërhiqeshin, ndërsa kishin rezistuar vetëm dy gjigantët spanjollë dhe ai italian. Madje, edhe tifozët kishin dalë kundër duke protestuar në rrugë, sidomos në Angli, duke kërkuar nga klubet përkatëse të heqin dorë nga kjo ide. Natyrisht, UEFA është kundër krijimit të kësaj lige, të cilën e ka konsideruar si një ide qesharake dhe të rrezikshme për klubet evropiane. Ndërkohë, e gjithë kjo situatë ka nervozuar tej mase presidentin e La Ligës, Javier Tebas i cili nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale shpërtheu kundër idesë së Superligës Europiane. “Superliga është si ai ujku që maskohet si gjyshe dhe që kërkon të mashtrojë futbollin europian. Por, hunda dhe dhëmbët janë të mëdha, katër divizione në Europë? Sigurisht, divizioni i parë do të jetë për ato që konsiderohen elitë, ashtu si ishte edhe ideja në vitin 2019. Qeverisja e vetë klubeve? Po, sigurisht këtu do të përfshihen vetëm ato që konsiderohen të mëdha”, shkruan Tebas.








































