Merkato e dimrit sapo është mbyllur, por merkato e verës për klubet e mëdha sapo ka nisur. Kështu, mësohet se e ardhmja e mbrojtësit Serxhio Ramos te skuadra e PSG-së nuk është aspak e sigurt. Madje, “L’Equipe” ka raportuar të enjten se Ramos do të largohet nga ekipi francez në fund të sezonit kur edhe i skadon kontrata. Te Parisi nuk po dëshirojnë t’ia ofrojnë rinovimin e kontratës Ramosit, pasi nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tij. 36-vjeçari tashmë është njoftuar me vendimin e klubit dhe po i shqyrton ofertat nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite për ta vazhduar karrierën. Ramos këtë sezon ka regjistruar 29 paraqitje për Parisin në të gjitha garat, ku ka shtuar edhe dy gola e një asistim. Ai është pjesë e Parisit prej vitit 2021 kur iu bashkua si lojtar i lirë. Ramos është ndër mbrojtësit e spikatur, sidomos për sukseset që pati me Realin e Madridit.








































