Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli në kërkim ndërkombëtar ditën e djeshme, “bosin” e inceneratorëve, Mirel (Klodian) Mërtiri. Lajmi u konfirmua ditën e djeshme nga gazetarja e “Neës 24”, Klodiana Lala. Ndaj Mërtirit është lëshuar urdhër-arresti që në 15 nëntor të vitit të kaluar, por pas më shumë se 2 muajsh, institucionet juridike dhe ligjzbatuese shqiptare, duket se kanë marrë informacione se biznesmeni i njohur është arratisur nga Shqipëria. Për kapjen e tij kërkohet ndihma e INTERPOL dhe EUROPOL. Mërtiri akuzohet lidhur me çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Konkretisht, ai, bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja dhe Klodian Zoto akuzohen nga SPAK për kryerjen e veprave penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim” për inceneratorin e Elbasanit. Gugallja raportohet se është arrestuar në Austri ditët e fundit dhe SPAK ka dërguar letërporosi te homologët austriakë për ekstradimin e saj. Inceneratori në fjalë u mor me një kontratë 22 milion euro nga qeveria shqiptare. Kjo kontratë çohet në bankë, dhe më pas me lekët e shtetit ndërtohet inceneratori, duke e çuar direkt kontratën më pas edhe tek shtetasi italian Ernesto Granelli, i cili për vetëm 15 milion euro ndërton me çelësa në dorë, inceneratorin e Elbasanit. E njëjta skemë përdoret më pas në Fier, dhe e njëjta skemë po përdoret edhe në Tiranë. Ish-kreu i opozitës, Lulzim Basha e akuzoi rëndë Mërtirin vite më parë se në të kaluarën ka qenë pjesëtar i bandës famëkeqe kriminale të Lushnjës në vitet’ 90, e drejtuar nga Aldo Bare. Për inceneratorin e Elbasanit, janë marrë të pandehur 10 persona, mes tyre Gugallja, Zoto, Mërtiri, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.








































