Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është nën procedim penal nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për koncesionin e ndërtimit dhe funksionimit të inceneratorit të Elbasanit. Lajmi u konfirmua nga “Faxnews”, e cila iu drejtua SPAK lidhur me ecurinë e hetimeve për djegësin e Elbasanit. Në përgjigjen e kthyer nga zyra e SPAK, konfirmohet se Ahmetaj është nën procedim penal që prej 19 shtatorit 2022 dhe po hetohet veçmas nga personat e tjerë të arrestuar dhe në kërkim për këtë projekt. Bëhet fjalë për të gjitha veprimet që Ahmetaj ka kryer lidhur me inceneratorin e Elbasanit në kohën kur ishte Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Konkretisht, SPAK nuk ka zbuluar të dhëna të tjera hetimore, pasi i konsideron sekret hetimor. Aktualisht, Ahmetaj përflitet se është larguar drejt Suedisë dhe mund të kërkojë azil, pasi rrezikohet dhe nga një tjetër çështje e bujshme, grabitja e rreth 520 mijë eurove dhe sendeve me vlerë në banesën e ish-drejtorës së Ministrisë së Financave dhe Rindërtimit, Alda Klosi, e cila u la dje në burg. Klosi akuzohet se ka inskenuar historinë e vjedhjeve nga pastruesja e saj Rozeta Dobi dhe i biri, Havieri, për të fshehur origjinën e vërtetë të parave, të cilat mendohen se në të vërtetë i përkasin ish-shefit të saj, Arben Ahmetaj.
Çfarë thotë SPAK për Ahmetajn?
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë vijon të kryejë hetime në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me objekt ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve Elbasan dhe prodhimin e energjisë, në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, datë 19.09.2022, procedim penal, i cili është ndarë nga procedimi penal nr. 277 të vitit 2020. Objekt i hetimeve të këtij procedimi penal janë një sërë rrethanash dhe faktesh, ku përfshihen edhe veprimet e shtetasit Arben Ahmetaj, në cilësinë e ish-Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Bazuar në kërkesat e nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, në këtë moment procedurial dhe në fazën ku ndodhen hetimet, veprimet hetimore dhe aktet hetimore, përbëjnë ‘sekret hetimor’. Si rrjedhim, përveç fakteve që janë bërë publike nga ana jonë, nuk mundet t’ju japim informacione të mëtejshme për përsonat që janë nën hetim, për veprimet hetimore që janë kryer apo për rezultatet e veprimeve hetimore të deritanishme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Inceneratori i Elbasanit, 10 të pandehur në gjykim, mes tyre Koka dhe Bllako
Në 12 dhjetor të vitit të kaluar, SPAK mbylli hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe dërgoi dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prokurori i çështjes Klodian Braho kërkoi të merren të pandehur 10 persona: biznesmenët, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja (u kap dje në Austri); ish-ministri i Mjedidit, Lefter Koka; ish-Sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako; Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit dhe ish-drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri, ish-anëtar i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit; Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit si dhe Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit. Ndaj tyre, rëndojnë akuzat “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Në 18 janar të këtij viti, avokati i njërit prej të pandehurve, Saimir Vishaj kërkoi që të merret në pyetje ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në cilësinë e personit që ka dijeni për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.
Si u mënjanua Ahmetaj? Akuza për “Rindërtimin”, rrezikohet dhe nga Alda Klosi
Në 25 korrik të vitit të kaluar, Arben Ahmetaj u shkarkua nga kryeministri Edi Rama si zëvendësuesi i tij në qeveri. Edhe pse Rama u kujdes që të shfaqte kortezi dhe mirënjohje ish-vartësit të tij për kontributin e dhënë, shenjat se Ahmetaj do të mënjanohej nga Rama dhe PS u vunë re përpara se të shkarkohej zyrtarisht, kur u hoq dhe si i deleguari politik i PS për qarkun e Vlorës. Përveç dy çështjeve delikate që e rrezikojnë, ish-ministri socialist akuzohet dhe për shpërdorimet e fondeve dhe donacioneve të huaja për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Për çështjen e Alda Klosit, ish-vartëses së tij, pastruesja Rozeta Dobi zbuloi në dëshminë e saj se paratë e gjetura në shtëpinë e Alda Klosit, në fakt i përkasin Ahmetajt. Si pastrueses dhe ish-drejtoreshës u është ofruar statusi i të penduarës të drejtësisë për të çuar të vërtetën deri në fund.








































