Selektori i Gjermanisë, Hansi Flik, e ka dërguar asistentin e tij, Markus Sorg për ta vëzhguar Mërgim Berishën. Futbollisti kosovar shkëlqeu pikërisht në praninë e përfaqësuesve të Kombëtares gjermane. Sorg ishte i pranishëm në stadium në ndeshjen që Augsburgu e fitoi me rezultat 1:0 ndaj Bajer Leverkusenit, njofton tabloidi gjerman “Bild”. Futbollisti nga Suhareka kështu e arriti golin e gjashtë në 13 ndeshje në Bundesligë. Ndërkohë, atë e ka lavdëruar trajneri i tij, Enriko Masen. “Në Gjermani ka shumë pak 9-sha më të mirë se Mërgimi që i kemi për momentin”, ka thënë trajneri i Augsburgut. 24 vjeçari është i huazuar nga Fenerbahçe në Augsburg, ndërsa shpreson të qëndrojë më gjatë në Gjermani. Ndërkohë, ish-futbollisti i Salzburgut nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Kombëtare, ku luajti për grupmoshat U-21. “Natyrisht, do të isha i lumtur nëse ftohem në Kombëtaren gjermane. E vetmja gjë në të cilën po mendoj është që ta jap 100 për qindëshin në fushën e blertë dhe të marr sa më shumë që mundem nga fusha e blertë”, deklaroi Berisha, i cili është njëkohësisht edhe objektiv i Kombëtares së Kosovës, por që prioritet e ka Gjermaninë.








































