Java e 20-të e Kategorisë Superiore nisi dje me dy ndeshjet e para të saj, por që në fushën zbritën në duele të veçanta Tirana e Partizani, skuadrat kryesuese të këtij sezoni. Bardheblutë udhëtonin në Rrogozhinë, për tu përballur me Egnatian, kurse të kuqtë pritën në kryeqytet Laçin. Sa i takon ndeshjes së luajtur në Rrogozhinë, Tirana doli me tri pikë nga përballja me Egnatian, pasi fitoi me rezultatin 2-1, në një duel që nuk rezultoi aspak i lehtë. Fitorja erdhi falë Përgjonit, heroi i bardhebluve, me një gol të shënuar por edhe një pritje fantastike në rolin e pazakontë të portierit Bekaj duke shpëtuar ekipin e tij. Skuadra e Orges Shehit pati nisjen më të mirë të mundshme, pasi shënojnë sapo zbresin në fushën e lojës. Një krosim nga e djathta shfrytëzohet më së miri nga Përgjoni që shënon një gol të bukur alla-Toti me të parën. Pak minuta më vonë bardheblutë janë sërish shumë pranë golit me Patrik që ndalet nga tranversa, ndërkohë që nuk vonon edhe përgjigja e formacionit rrogozhinas. Vjen nga Duamena që nga brenda zonës bën më të mirën në krosimin e Fangaj duke ndëshkuar Bekajn.
Pjesa e dytë, përmbys Tirana
Pjesa e parë mbyllet në ekuilibër, 1-1, ndërsa e dyta vijon e luftuar. Emocionet më të forta janë të rezervuara pak pas një ore lojë, fillimisht me Përgjonin që lëshon një goditje të fortë, Sherri ja del ta kthejë, këmbëngul sërish mbrojtësi i Tiranës dhe këtë herë me Sherrin të mposhtur është Kacbufi që shpëton mbi vijën fatale. Një mrekulli e vërtetë për Egnatian, por Kacbufi shndërrohet nga engjëll në djall për pak sekonda ,pasi menjëherë më pas prek topin me dorë në zonë në një goditje drejt portës dhe për arbitrin nuk ka dyshime, është 11-metërsh. Nga pika e bardhë Florent Hasani çon topin në rrjetë duke lënë në tokë Sherrin për të risjellë avantazhin. Goli i 9 sezonal për Hasanin, gjithnjë e më lider te bardheblutë i gatshëm për të marrë trashëgiminë e Xhixhës dhe për të sulmuar kreun e klasifikimit të golashënuesve që udhëhiqet nga shoku i tij i skuadrës dhe Skuka, tanimë të larguar. Egnatia gjithsesi nuk dorëzohet me Bekajn që impenjohet seriozisht në disa momente, deri sa bëhet protagonist i minutave të ankthit në finale, kur mbetet i rrëzuar në tokë pas një përplasjeje të fortë në kokë. Bekaj e ka të pamundur të vazhdojë dhe interesant është fakti që për 13 minutat e shtesës është Përgjoni ai që vesh dorezat e portierit, duke qenë se Shehi ka ezauruar të tre kohët e zëvendësimeve. Përgjonaj, “heroi” i Tiranës
Florian Përgjoni padyshim ishte njeriu i ndeshjes Egnatia-Tirana, pasi shënoi gol që në minutën e parë dhe në fund bëri dhe rolin e portierit duke shpëtuar portën. Pas sfidës ai u shpreh tepër i lumtur për pikët dhe performancën e bërë nga ai. “Ishte kënaqësi, dhe jam shumë i lumtur për golin fitoren. Do vazhdojmë kështu dhe në ndeshjet vijim. Ishte hera e parë që luaja rolin e portierit, kur mora dorezat u ndjeva çuditshëm, duhet ta provoj më shpesh. Duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje. Është një përgjegjësi e madhe të luash për këtë fanellë, do mundohem të jap maksimumin tim”, u shpreh Përgjoni.
Java e 20-të
Të hënën
Egnatia-Tirana 1-2
Partizani-Laçi 1-2
Të martën
Kastrioti-Erzeni 13:00
Teuta-Bylis 16:00
Vllaznia-Kukësi 19:00
Renditje
1.Tirana 37
2.Partizani 31
3.Erzeni 29
4.Laçi 29
5.Vllaznia 28
6.Egnatia 27
7.Bylis 23
8.Kukësi 22
9.Teuta 21
10.Kastrioti 19