Google search engine
Home Sport Partizani në krizë rezultatesh, Laçi i merr fitoren dhe ngjitet i treti

Partizani në krizë rezultatesh, Laçi i merr fitoren dhe ngjitet i treti

0
147

Partizani e nisi mjaft mirë ndeshjen e djeshme kundër Laçit, në kuadër të xhiros së 20-t6ë të Superiores, duke shënuar me anë të Da Silvës golin e avantazhit, që në minutën e 28-të. Në të vërtetë loja ishte e balancuar në mesfushë, por zbritjet e rrezikshme të Partizanit do të kurorëzoheshin me golin e Da Silvës, i cili bëri një gjuajtje mjaft të bukur nga jashtë zonës, duke mos i dhënë shanse portierit Selmani. Ky gol duket se e çoi Partizanin në eufori, pasi la hapësira dhe i krijoi mundësinë ekipit kurbinas të gjente efektin e duhur në kundërsulm dhe të kalonte minutë pas minute në kontrollin bindës të topit, aq sa në minutën e fundit të pjesës së parë të barazonte shifrat 1-1 me anë të Turkaj. I lënë në harresë në zonë, pas një goditje këndi për kurbinasit, Turkaj shënoi me kokë golin e barazimit. Në këtë mënyrë, pjesa e parë mbyllet 1-1. Në pjesën e dytë Partizani synoi të reagonte si duhet, me dëshirë për të fituar, por Laçi mori shpejt përparësinë e lojës së fortë dhe të saktësisë në veprime. Mensah dhe Cara përpiqen të çajnë mbrojtjen kurbinase, por e kanë të vështirë dhe nuk gjejnë koordinimin e duhur. Trajneri Kolela ndërhyn në formacion duke bërë zëvendësime. Por ishte Laçi që bën kthesën. Pikërisht në minutën e 66-të vjen ndëshkimi për të kuqtë. Aksion i jashtëzakonshëm i kurbinasve, me Barjamajn i cili jep një top perfekt për Shkurtajn dhe ky i fundit nuk gabon, duke shënuar golin e dytë për Laçin. Tensioni tek të kuqtë ishte i madh dhe trajneri përpiqet të shtyjë skuadrën përpara për të gjetur golin e barazimit, por kurbinasit tregohen të saktë në repartin difensiv. Në minutën e 72-t, pas një harkimi në zonë, Murataj gjuan me kokë dhe më pas topi prek Velkoskin. Të kuqtë pretendojnë për penallti për prekje topi me dorë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë duke mos ftuar as VAR në ndihmë. Mbyllet me fitoren e Laçit 2-1 që ngjitet i treti, por konfirmohet kriza e Partizanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here