Në ndeshjen e djeshme të luajtur në Rrogozhinë midis Egnatias dhe Tiranës, në fushë u dëmtua edhe portieri bardheblu Visar Bekaj. Ishte një moment i pakëndshëm që i ka shokuar të gjithë, pasi portieri kosovar humbi kujtesën si pasojë e tronditjes. Por kjo fatmirësisht ndodhi vetëm pak kohë, vetëm pak sekonda, pasi lojtari e rimori veten dhe u “freskua” menjëherë edhe në aspektin e memories së tij. Në fakt, ishte vetë trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka thënë se portieri i tretë i Kosovës, Visar Bekaj është në gjendje të mirë pas lëndimit që pësoi në ndeshjen kundër Egnatias të hënën. Shehi pas ndeshjes ka theksuar se Bekaj humbi kujdesën pas lëndimit të pësuar në fund të ndeshjes të cilën Tirana e fitoi 2:1, në kuadër të xhiros së 20-të të elitës së futbollit të Shqipërisë. “Është mirë, humbi pak memorien në fushë, por tani i mban mend të gjitha, edhe golin që pësoi. Është mirë”, ka thënë Shehi, raportojnë mediumet në Shqipëri. Në përplasjet e lojtarëve në fushë, por shpesh edhe nga ngarkesa psikologjike si pasojë e përqendrimit ekstrem, ndodh që futbollistët të goditen në këtë formë, por fatmirësisht pa pasoja të rënda afatgjata.