Një mjek dhe një specialist teknik për bërjen e skanerit janë arrestuar në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Emri e mjekut dhe specialistit të imazherisë të arrestuar mëngjesin e kësaj të premteje në QSUT janë mjeku Nazmi Metaliu dhe tekniku Astrit Masnaku, të cilët janë prangosur për shkak se merrnin para për të ofruar bërjen e skanerit për pacientët.
Burime bëjnë me dije se mjekët kishin 3 muaj që ndaj tyre kishte nisur një hetim për abuzimin me detyrën.
Policia dhe grupi hetimor mundi të faktonte me prova se mjeku dhe specialisti i imazherisë merrnin para nga pacientët ëpr kryerjen e skanerit.
“Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure”, thuhet në njoftimin e policisë”, sqaroi policia.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Skaneri”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. U morën para pacientëve, për të shmangur procedurën standarde spitalore, për bërjen e skanerit, vihen në pranga 2 shtetas (mjeku dhe tekniku i Shërbimit të Imazherisë në QSUT).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skaneri”. Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:
– N. M., 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek;
– A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.