Tragjedia e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë dhe u plagosën qindra të tjetër, e njohur tashmë anekënd Evropës dhe i identifikuar me emrin e Sali Berishës, është një nga ato ngjarje që përfshin drejtpërdrejt familjarë të Berishës, ndërsa punishtja e vdekjes ishte ngritur me lejen e këtij të fundit për të bërë para familja. I biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, drejtonte nga distanca biznesin e vdekjes në Gërdec. Por zhvillimet e fundit tronditëse po alarmojnë familjen Berisha, pasi në të njëjtën kohë kur Berisha kishte bllokuar foltoren e Kuvendit para pak ditësh dhe seanca plenare ishte kthyer në kaos duke tërhequr vëmendjen, djali i tij Shkëlzeni u paraqit për herë të parë para prokurorëve të SPAK për të dhënë përgjigje për rreth 1 ore e 30 minuta për lidhjen e tij me tragjedinë e Gërdecit. Berisha, në çdo rast që e ka parë punën pisk, është ngritur dhe ka djegur Shqipërinë për të shpëtuar veten. E ka bërë për të mbrojtur apo marrë pushtet deri dje, po e bën për t’i ikur drejtësisë sot pasi po e ndjen rrezikun e burgut. Në këtë rast Berisha po luan çdo kartë të mundshme për të shpëtuar të birin. Si me “magji” atij ju shfaq dosja amerikane “McGonigal” ku përmendet dhe kryeministri Rama. Në momentin kur u thirr Shkëlzen Berisha në SPAK, ish-kryeministri filloi ta stërmadhojë çështjen duke përdorur argumente të pabaza. Ai e vazhdoi fantazinë me arrestimin e mundshëm të Edi Ramës, pastaj me rrëmbim në një ishull.
Skema e Berishës
Madje Berisha do të shkojë deri aty sa të thërrasë protesta për të rrëzuar me dhunë kryeministrin Rama nga pushteti. Ai ka lënë dhe një afat. Rama nuk do të jetë i pranishëm në zgjedhjet vendore të 14 majit. Pra ditët në vijim politikën shqiptare e presin zhvillime të forta. Pa përdorur fakte dhe prova, Berisha shkoi edhe më thellë në shpikjet e tij për të shmangur vëmendjen nga çështjet e tij alarmante me drejtësinë. Ai tha para pak ditësh se Yuri Kim se ka ngrënë dreka e darka me Charles McGonigal dhe Edi Ramën dhe duhet të hetohet nga FBI, ndërkohë që ambasadorja ka ardhur në Shqipëri më 2020, ndërsa Charles McGonigal ka qenë për herë të fundit më 2018. Në këtë rast, Berisha jo vetëm po e përdor çështjen për interesat e tij, por në këtë mënyrë i shërben njëkohësisht dhe kryeministrit Rama. Edhe pse çështja po hetohet në SHBA, situata është serioze pasi pa përfunduar hetimet Rama nuk mund të quhet ende “i pastër”. Por Berisha në këto momente e ka kthyer dosjen McGonigal në politike dhe Rama po e shfrytëzon situatën duke u marrë me historitë e paimagjinueshme të Berishës me ishuj dhe rrëmbime nga FBI.
Kreu i “Foltores” nën ankthin e burgut
Edhe pse Berisha po kërkon të heqë vëmendjen nga hetimet e drejtësisë së re, situata ka ndryshuar dhe SPAK nuk do të ndalet nga asnjë presion pasi nga mbrapa ka mbështetjen e amerikanëve. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se në vijim pritet të shpërthejnë 3 dosje që do çojnë pas hekurave të gjithë bandën që shkaktuan vrasje, vdekje dhe grabitje masive në Shqipëri, ku mbi to shfaqet emri i Sali Berishës. Hetimet e thelluara për “Gërdecin”, “21 Janarin”, “Kompleksin Partizani” prite të tronditin politikën shqiptare pasi do të shkaktojnë valë arrestimesh në nivele shumë të larta.