Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari vazhdon të akuzojë “Foltoren” e Sali Berishës se ka manipuluar votat në zgjedhjet për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Pas denoncimeve të bëra ndaj kandidatit të “Rithemelimit” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçit, dje zonja Kokalari ka akuzuar përmes një statusi në rrjetet sociale deputeten demokrate, Albana Vokshin, e cila është edhe kryetare e Forumit të Gruas, se mbështetëset e saj kanë orientuar votën, ndërsa ka premtuar se do të publikojë edhe listën e manipuluar. “Albana Vokshi, me që nesër do adresosh listat që publikova, të sugjeroj të bësh transparencë të plotë, se jo vetëm që infon e mora nga kompjuteri jot, por kam dhe foto. Fakti që ti mund të dalësh me Këlliçin në krahë, më thotë që do filloni thjeshte të manipuloni realitetin. Në bazë të një letre që firmosa se nuk do publikoj çfarë pash, PD ka të drejtë të më hedh në gjyq. E mirëpres, por i jeni futur një rruge që do t’ju fundos të tërëve. Ndoshta është koha të flasim se si gratë e tua orientuan votat në kryesi. Faktet i kam”, shkruan Kokalari.
Reagon “Foltorja”
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike të Sali Berishës, e cila i është përgjigjur dje akuzave të ngritura nga Evi Kokalari se kanë manipuluar listat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në zgjedhjet që u mbajtën më 30 prill 2022. Përmes një deklarate, Komisionit Qendror i Numërimit pranë “Foltores” thotë se i gjithë procesi i numërimit të votave ka qenë transparent dhe ka qenë gjatë gjithë kohës online në kanalin zyrtar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndalur në listën e publikuar nga Kokalari, e cila pretendon se kanë hequr fituesit dhe kanë shtuar në listë mbështetësit e Belind Këlliçit, PD e Berishës thotë se është zbatuar statuti i partisë. Komisioni shpjegon se sipas statutit, lista e anëtarëve të Këshillit Kombëtar fillimisht duhet të plotësohet me kuota e përcaktuar në statut, me 45 gratë më votuara dhe me 23 të rinj nën 35 vjeç të cilët janë më të votuarit. Sipas “Rithemelimit”, në zgjedhjet që u mbajtën në prill, vetën 10 gra dhe 5 të rinj morën vota mjaftueshëm për të hyrë drejtpërdrejt në Këshillin Kombëtar. Më pas pjesa tjetër është plotësuar me ata që kishin marrë më shumë vota. Në total, 53 gra e të rinj u veçuan në renditje për të plotësuar kuotat e përcaktuar me statut. “Është e rëndësishme të theksojmë që çdo kandidat ka pasur mundësinë e verifikimit të rezultatit të saj apo të tij bazuar në Vendimin e Komisionit Qendror të Numërimit. Janë rreth 20 raste të cilët kanë verifikuar rezultatin e tyre. Komisioni ka respektuar në çdo germë statutin e PD miratuar në Kuvendin e datës 11 dhjetor 2021, duke respektuar kuotat e grave e të rinjve. Procedurat e votimit e të numërimit kanë qenë tërësisht transparente. Çdokush që është i interesuar mund t’i drejtohet Komisionit Qendror të Numërimit pranë Partisë Demokratike për informacione të mëtejshme. PD mbetet partia e vetme politike ku vota është instititucionalizuar dhe është ajo që vendos cilat janë forumet drejtuese të PD apo drejtuesit në çdo hallkë të strukturave të saj me parimin një anëtar një votë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e “Foltores”.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se aktivistja Evi Kokalari ka hedhur akuza në lidhje me votimit të Këshillit Kombëtar. Në një postim të bërë më datë 20, Kokalari ka publikuar një listë, krah të cilës shkruan se disa emra janë hequr, pavarësisht se duhej të ishin futur në bazë të votave që kishin marrë. Sipas Kokalarit, qëllimi ka qenë që të vendoseshin emra që janë mbështetës të Këlliçit, në mënyrë që ta votonin në garën për primaret. “Fakte dhe emra. Kjo më poshtë është vetëm lista e manipulimeve te Këlliçit. Albana Vokshi ka listë tjetër (atë të grave). Për ekspozimin e këtyre manipulimeve u hodha në gjyq dhe këta të PD-së nuk bën asgjë për ta ndaluar, duke i ditur faktet bashkangjitur këtu. Madje, kurrë nuk i kanë mohuar. Në fakt, ky gjyq ndaj meje është njollë për Berishën, sepse ai lejoi këtë padi. Tashti, Sali Berisha, i detyrohet një shpjegim të gjithë demokratëve, pse mbylli sytë kur ja tregova këto manipulime ne Maj, dhe pse në vend që ta hiqte Këlliçin, e nxori fitues (me manipulime) kundrejt Velias. Në fakt, përgjigja mund të gjendet në diskutimet e gjata të Çim Pekës me Veliajn, diku andej nga Maji-Qershori, kur këta takoheshin shpesh për ecjet e mëngjesit”, shkroi zonja Kokalari.