Pallati i Sportit është një nga impiantet sportive që prej shume kohesh ndodhet në gjendje të mjerueshme. Kushtet për sportistët dhe të pasionuarit e sportit janë të detyruar të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushte aspak normale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për të disatën herë deklaroi se shumë shpejt do të nisë puna për rindërtimin e këtij impianti, duke qenë i vetëdijshëm për gjendjen e tij. Një premtim i përsëritur nga ana e Veliajt, i cili ashtu si disa vite me parë, ashtu si dhe para disa muajsh, përsërit që do të nisë puna për të njëjtin institucion. Numri një i Bashkisë theksoi se dhe me stadiumin “Selman Stërmasi” do të ketë një projekt që do e kthejë si prioritet në një zone shumëdimensionale plus dhe një fushë e gjelbër futbolli. “Duam të fillojmë edhe për pallatin e ri të sportit. Është një hangar, jam i sigurt se edhe aty do plasë histeria. Ju lutem, më ndihmoni, jo s’e kam nevojë dhe ngelem vetëm me lukuninë e gjithologëve, por sepse ndihmon sektorin tuaj. Njerëzit thonë: ‘Është një hangar, ka qenë vendi ku rrinin avionët e kohës së Italisë’. U adaptua në vitet e komunizmit për të patur një arenë sportive, po është komplet e degraduar. Më mirë se sa ta presim histerinë, t’i dalim përpara dhe të themi: ‘O njerëz, nuk mund të luajmë në hangar në vitin 2023, qyteti europian i sportit’. E njëjta gjë edhe me stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Duam të bëjmë aty një tjetër hapësirë, të ngjashme me Arenën Kombëtare. Filozofia e arkitektit dhe qeverisë shqiptare ishte të mos kemi një stadium me ca shërbime që përdoret një herë në javë. Përkundrazi, të kemi një hapësirë që e përdorim 24/7, me biznese, restorante, bare, radio, televizione, portale, plus edhe një fushë e gjelbër ku luhet futboll. Të njëjtën gjë duam ta bëjmë te zona e stadiumit ‘Selman Stërmasi’, sepse një nga zonat më kurative të Tiranës nuk e ka një ambient të tillë”, deklaroi Veliaj.