Nëntë persona janë nën hetim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. Policia ka zbardhur detajet e operacionit të fundit lidhur me ngjarjen e para tre viteve që u tentua ekzekutimi i prokurorit Arjan Ndoj.
Pamjet që po shikoni vijnë nga operacioni “Komploti”. Videoja e publikuar nga Policia e Shtetit tregon momentin e arrestimit të një prej të akuzuarve, Akil Nerjaku, i cili u gjet në shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël bashkë me deputetin e Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
‘Kili’ shihet i veshur me tuta me vija të kuqe e me kapuç në kokë. Oficerët e policisë janë filmuar duke kryer kontrolle në tokë me detektorë.
Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.
Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.
Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.


































