Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë ka urdhëruar SPAK që të regjistrojë procedim penal për vjedhjen e floririt në Krrabë dhe të nisë hetimin pasuror të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ajo është pasuria. Nisja e hetimit për burimin e të ardhurave të apartamenteve, tokave dhe vilave që disponojnë mund të fundosinMetën dhe Berishën. Gazeta “Sot” ka siguruar deklarimet pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Familja Berisha me pasuri mbi 2 milionë euro
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij zotërojnë një pasuri rreth 2 milionë euro, të deklaruar. Vetë Berisha ka deklaruar se ka disa llogari bankare, ku në total ka 12.7 milionë lekë të reja, 26. 3 mijë euro dhe 36.2 mijë dollarë. Në total diku te 190 mijë dollarë. Ndërkohë ai ka deklaruar dhe banesën që ka bashkë me bashkëshorten. Por ajo që bie në sy është se vajza e tij zotëron pasuri të lartë. Zonja Argita Malltezi ka deklaruar në pronësi të saj dhe bashkëshortit, tre apartamente, vilën në Gjirin e Lalëzit, ndërsa po në Gjirin e Lalëzit këtë vit ka blerë një ndërtesë banimi me vlerë 155 mijë euro. Po ashtu ka deklaruar 3 bodrume dhe një tokë arë në Priskë të Tiranës. Më tej ajo ka deklaruar 14 llogari bankare me vlerë qindra mijëra euro, dollarë dhe lekë. Sipas llogarive të gazetës, vetëm pronat e zonjës Malltezi kapin shifrën e mbi 1 milionë eurove, ndërkohë llogaritë bankare në euro shkojnë diku totali te 483.7 mijë euro dhe 412 mijë dollarë. Ndërkohë djali i zotit Berisha ka deklaruar 3 llogari bankare në lekë si dhe një në euro me vlerë 66 mijë euro. Po ashtu ai ka deklaruar dhe një makinë, por nuk përcaktohet vlera. Gazeta ka mbledhur të gjitha deklarimet e bëra nga Berisha, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët dhe rezulton se pronat dhe llogaritë bankare tejkalojnë shifrën e 2 milionë eurove.
Deklarimet e vajzës së ish-kryeministrit
Zonja Malltezi ka deklaruar prona të patundshme: Apartament, blerë në 2009, me vlerë 195.250 euro, pronësia 50%; Apartament, blerë në 2010, me vlerë 200.000 euro, pronësia 50%; Apartament, blerë në 2015, me vlerë 179.000 euro, pronësia 50%; Bodrum, me vlerë 10 mijë dollarë, pronësia 50%; Bodrum, me vlerë 17 mijë euro, pronësia 50%; Bodrum, me vlerë 26.370 euro, pronësia 50%; Vilë në Lalës, godina blerë me vlerë 56 mijë euro+trualli me vlerë 908.176 lekë, ndërkohë subjekti deklaron se janë bërë dhe rikonstruksione dhe janë bërë pagesa shtesë, pronësia 50% ; Ndërtesë banimi në Lalës, blerë sipas kontratës së shitjes datë 13.07.2021, me vlerë 155 mijë euro, pronësia 50%. Ndërkohë llogari bankare ka deklaruar: Llogari bankare, 61.464 dollarë; Llogari bankare, 25.399 dollarë; Llogari bankare, 68.767 lekë; Llogari bankare, 41.666 dollarë; Llogari bankare, 115.005 dollarë; Llogari bankare, 174.864 euro; Llogari bankare, 1.715.329 lekë; Depozitë, 155.228 euro; Llogari bankare, 6.108.305 lek; Llogari bankare, 5.500 lekë; Llogari bankare, 132.771 dollarë; Llogari bankare, 153.698 euro; Llogari bankare, 15.136 dollarë, pronësia 25%; Llogari bankare, 20.335 dollarë, pronësia 50%.
Meta-Kryemadhi, 1 milionë euro pasuri
Meta dihet që ka qenë në politikë që në fillim të demokracisë dhe kjo duket se ka ndikuar në mirëqenien e tyre, pasi që në vitet e para kur nisi deklarimi i pasurisë, vlera e banesave është shumë e lartë. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Gazeta ka bërë një përmbledhje të vlerës totale të të gjitha apartamenteve të shitura e blera dhe rezulton se kapin një kosto prej afro 900 mijë eurosh. Por në këtë llogaritje nuk përfshihet shtëpia në Gjirin e Lalzit, pasi nuk dihet vlera e saj. Kjo do të thotë se fitimi arrin në mbi 1 milion euro. Shtëpia e tyre, në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katror në Gjirin e Lalzit. Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agi-Kons shpk, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Edhe 13 apartamentet janë përfituar nga po kjo kompani. Deklarimet e para në ILDKP datojnë që prej vitit 2003. Në deklarimin që Meta e Kryemadhi kanë bërë pranë ILDKP, bie në sy se kanë disa llogari edhe fëmijët e tyre, shumica të hapura për qëllime studimi. Vetëm në vitet e fundit është deklaruar se janë shpenzuar 140 mijë paund për shkollimin e tyre në Londër. Por një tjetër element që tërheq vëmendje është se pavarësisht ekzistencë së disa llogarive bankare, si Meta, ashtu dhe Kryemadhi kanë marrë overdrafte në bankë.



































