Skuka në projektin e Veronës për 750 mijë euro, por Partizani s’e lëshon pa 1 mln

0
115

Merkato po vijon intensivisht nga klubet e Kategorisë Superiore, të cilët po përpiqen të përmbushin objektivat e tyre në treg, me synime të qarta për të forcuar grupet e tyre dhe për të rritur pretendimet në garë, si në kampionat ashtu dhe në kupë. Problemi është se në këtë merkato dimri është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë të lirë, ndaj dhe lëvizjet nuk përfshijnë emra të mëdhenj e ka pak përjashtime nga lëvizjet që bëjnë klubet me lojtarë të huaj. Nga ana tjetër, lojtarët shqiptarë që çajnë me vështirësi në kampionatet e huaja janë fare të paktë. Shumë pak prej tyre arrijnë të marrin vëmendje e jo më minutazh. Megjithatë, nga radhët e Partizanit në Tiranë është një futbollist që ka marrë vëmendje të konsiderueshme e madje nga klubet e dy serive kryesore të futbollit italian. Është fjala për Xhuliano Skukën, që ka bërë një sezon shumë të mirë deri tani me të kuqtë dhe përfshirja në Kombëtare i dha mundësinë të shpaloste talentin e tij e të tërhiqte vëmendjen e menaxherëve të ndryshëm, të cilët po nxitojnë tek drejtuesit e Partizanit për ta marrë këtë lojtar. Por të kuqtë janë shndërruar në “bunker”. Ata nuk pranojnë ta lënë të lirë futbollistin pa 1mln euro neto dhe kushte të tjera shtesë si benefite financiare që vjen nga kalimi i lojtarit në një kampionat cilësor si ai italian.

Oferta e Veronës

Pas transferimit Bitrit te Banik Ostrava, te Partizani sirenat e merkatos bien edhe për Xhuliano Skukën. Sulmuesi ka shkëlqyer në kampin e kuq këtë sezon me 10 gola në 16 prezenca në kampionat, çka ka ngjallur interesimin e klubeve të huaja. “Supersport” mëson se për sulmuesin ka bërë një hap konkret klubi italian i Veronës duke ofruar 750 mijë euro për shërbimet e tij. Ofertë kjo që është refuzuar nga presidenti Gazment Demi. Numri një i klubit të kuq nuk ulet asnjë cent poshtë pretendimeve për 1 milionë euro për kartonin e Skukës duke i rezistuar klubit italian. Një ndër arsyet e refuzimit është padyshim edhe efekti sportiv, pasi Skuka është një lider i vërtetë i skuadrës me Partizanin që i konsideron të domosdoshme shërbimet e tij për të fituar titullin kampion, mision në të cilin Skuka është thelbësor. Është ky padyshim një motiv i rëndësishëm për klubin e kuq që mund të hapet ndaj idesë së largimit të Skukës për vetëm 1 milionë euro.

Partizani dhe Kombëtarja

Xhuliano Skuka po paraqitet shumë mirë dhe është praktikisht lojtari kryesor i sulmit të Partizanit. Futbollisti shënoi dy nga tre golat e të kuqve në fitoren ndaj Korabit në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Por lojtari ka nevojë të rritet e të kalojë në një stad tjetër të karrierës së tij. në rastin më të mirë Skukës i duhej të testonte veten në një klub të ligave mesatare si në Kroaci, Hungari apo në Zvicër, e më pas të depërtonte në Serie A italiane. Por klubet italiane ofrojnë më shumë në aspektin financiar dhe kjo ka bërë që Partizani të mos e ulë shifrën 1mln euro që kërkon për të. Me Partizanin është lider, kurse me Kombëtaren ka luajtur pak minuta në miqësoren kundër Italisë e titullar në ndeshjen miqësore kundër Armenisë. Por mjaftueshëm për të rënë në sy dhe rritur vlerat e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here