Bashkimi i PD drejt “kalendave greke”, 23 deputetë të grupit të Bashës darkë pune në Pogradec, Tabaku sfidon hapur Berishën dhe del kundër “Foltores”, “Rithemelimi” shton sulmet ndaj Alibeajt

0
202

Negociata për bashkimin e Partisë Demorkatike duket se po shkon drejt “kalendave greke”. Kjo pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike të grupit të Alibeajt, janë mbledhur për një darkë në qytetin e Pogradecit. Të pranishëm kanë qenë 23 deputetë, mes të cilëve dhe vetë Enkelejd Alibeaj. Mësohet se ata janë mbledhur me ftesë të deputetit Lefter Gështenja. Mes të pranishmëve kanë qenë dhe Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Oriola Pampuri, etj. Në këtë darkë nuk kanë marrë pjesë asnjë deputet nga grupi mbështetës i Sali Berishës, çka tregon se kriza mes demokratëve po thellohet.

Situata në PD, reagon Tabaku

Ndërkohë situatën brenda Partisë Demorkatike, e komentoi dje edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku. Kjo e fundit teksa ishte e ftuara në një studio televizive, u shpreh se preferon t’iu flasë njerëzve, të cilët në këndvështrimin e saj janë të dëshpëruar ndërsa shohin demokratët të konfliktohen mes tyre, duke shtura se ajo mbështet grupin e Alibeajt dhe jo “Foltoren”. “Jam përpjekur të them mendimin tim pa cenuar askënd. Unë e kam një qëndrim e di kush është rruga për PD. Preferoj t’i flas njerëzve janë të dëshpëruar kur na shohin që zihemi. Dalja me një kandidat do të bëjë të mundur që të mos kemi një copëzim. Kemi 60 bashki të drejtuara sot nga PS. Kush do që do të mirën e PD të mendojë daljen me kandidat të përbashkët. Nuk kam asnjë dilemë për pozicionin që kam patur. Jam pjesë e grupit PD që drejtohet nga Alibeaj Nuk i hyj diskutimit si u zhvilluan primaret. Edhe sot ka mekanizma për të parë cili mund të jetë kandidati më i mirë, mund të bëhen sondazhe. Besoj se nëse ka vullnet politik çdo gjë zgjidhet”, deklaroi Tabaku. Më tej duke folur për bashkëpunimet me PS-në, Tabaku theksoi se socialistët janë bërë më të zgjuar dhe i marrin propozimet e saj në Kuvend. Ajo tha se është një deputete që ka denoncuar më shumë gjëra nga PD, duke përmendur edhe emra oligarkësh, por shtoi se PD-ja duhet të dalë përtej denoncimit. “Nëse PS-ja është aq e zgjuar dhe i miraton këto propozime, atëherë nuk kam kompleks të them se i bëra për të mirë publike. Unë nuk kam asnjë dyshim që mazhoranca është më e ndërgjegjshme. Besoj se ndodhemi në një moment që socialistët e kuptojnë se çfarë po ndodh me buxhetin e shtetit, pastaj vendimi është në dorën e tyre”, nënvizoi Tabaku.

“Foltorja” sulmon Alibeajn

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje vendimin e deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj për përjashtimin e 4 deputetëve nga grupi parlamentar i PD. Në intervistë për mediat, Berisha u shpreh se vendimi i tij tregon që Alibeaj është “lëvozhgë e pushtetit”. Po ashtu, ndër të tjera shtoi se një vendim i tillë nuk mund të merret pa asnjë mbledhje. “Së pari për përjashtimin, ishte akti më turpërues dhe poshtërues që mori, minimumi pa një proces. Shpallja se e përjashtova pikërisht në ditën kur Veliaj kapej në vjedhjen me spektakolare. Alibeaj tregoi se ishte lëvozhgë e pushtetit. Në Statutin e PD nuk ka asnjë nen për përjashtimin e deputetëve. Kurse ky limon i shtrydhur, i lejon vetes të deklarojë se përjashtova 4 deputetë. Ai meriton të mos jetë asgjë siç pretendon. Sali Berisha çfarë rruge zgjodhi në këtë proces që ndoqi. Një rrugë me nepotizëm apo votën e lirë të demokratëve. Çdo demokrat që e do apo jo Sali Berishën, procedon me një mënyrë që i dha fund kryetarokracisë. Ne jetën japin, votën nuk e falim. Kjo forcë politike ose do rikthejë votën ose do të zhduket. Ne kemi regjistër se çfarë po bën Rama për të vjedhur zgjedhjet. Ne do të përballemi me Edi Ramën, ndryshe Shqipëria është në shpërbërje të plotë”, deklaroi Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here