“4 stinët” nga Antonio Vivaldi, një shfaqje e frymëzuar nga muzika në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit

0
127

“4 stinët” është padyshim vepra më e famshme e Antonio Vivaldit. Muzika e Vivaldit këtë herë është frymëzim për një shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në vijim të koncerteve që kanë qenë këtë muaj të parë të vitit në programin artistik, një shfaqje erdhi këtë herë për publikun. Nxënësit e Shkollës së Baletit nën koreografinë e Blerina Arbanës erdhën me një shfaqje frymëzuar nga “4 stinët” e Vivald-it. Një shfaqje për publikun këtë sezon artistik që ka nisur në bashkëpunim dhe me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “4 stinët” në kohën e publikimit në Amsterdam në vitin 1725, u shoqëruan me poezi, të cilat përshkruanin me saktësi çdo karakteristikë të secilës stinë, të cilën Antonio Vivaldi kishte për qëllim që ta ngërthente në muzikën e tij. Si koncert instrumental “4 stinët” nga kompozitori Vivaldi  i kemi ndjekur me interpretimin e artistëve të Teatrit të Operës dhe Baleti, ndërsa këtë janar erdhi një shfaqje nga nxënësit e Shkollës së Baletit në vijim të aktiviteteve dhe veprimtarive të tjera që kanë zhvilluar më parë. Herë pas here nxënësit e kësaj shkolle zhvillojnë veprimtari të ndryshme, ku nuk kanë munguar me shfaqje dhe jashtë vendit. Shkolla e Koreografike e Tiranës u hap më 1957 me cikël mësimor 6-vjeçar pranë Teatrit të Operës dhe Baletit. Më pas u zgjat me një afat 8-vjeçar. Në fillim përgatiste valltarë për këtë institucion dhe për institucione të tjera artistike. Më 1972 kaloi në varësi të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, ku pranoheshin nxënës nga klasa e IV e shkollës 8-vjeçare. Para ‘90-s ishte institucioni bazë për përgatitjen e valltarëve për institucionet profesioniste, për shtëpitë e kulturës në rrethe dhe në përgjithësi për lëvizjen artistike amatore. Përveç lëndëve themelore të shkollës së mesme të përgjithshme, jepeshin njohuri për artin koreografik botëror, historinë e baletit shqiptar, etj. Nga kjo shkollë kanë dalë artistë të njohur, që sot shkëlqejnë dhe në skenat botërore.

Muzika e Vivaldit

I frymëzuar nga pikturat e peizazhit të artistit italian, Marco Ricci, Antonio Vivaldi kompozoi “4 stinët” afërsisht në mes 1720 dhe 1723 dhe botoi ato në Amsterdam në 1725. “4 stinët” përbëhen nga katër koncerte ( pranvera , verë , vjeshtë dhe dimër ), secila në një formë të veçantë. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinëve. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. Referuar shkrimeve, që nga botimi muzikologët e konsiderojnë “4 stinët” e Vivaldit të jenë ndër muzikën më të guximshme të programit të shkruar ndonjëherë gjatë periudhës barok. “Besohet se Antonio Vivaldi vetë shkroi dymbëdhjetë sonetet individualë për të shkuar së bashku me secilën lëvizje të “4 stinëve””, thuhet për kompozitorin. Antonio Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, simfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here