Kupa e Shqipërisë luajti ndeshjet e para për këtë vit, që korrespondojnë me raundin e 1/8 të finales. Në fakt, nga 8 takime gjithsej, dje u luajtën vetëm 5 prej tyre dhe duhet pranuar se diferencat mes skuadrave të Superiores dhe rivalëve të tyre të Kategorisë së Parë ishin mjaft të ndjeshme. Skuadrat e mëdha fituan bindshëm dhe siguruan një hap më tej, duke qenë favorite për çerekfinalen e Kupës, trofeu i dytë më i rëndësishëm pas titullit kampion.
Ndeshjet
Në një mot të lagësht dhe në terrene të vështira u luajtën dje duelet e para të këtij raundi në Kupën e Shqipërisë, ndërsa rezultatet konfirmuan epërsinë e Partizanit, Tiranës dhe Vllaznisë edhe në kupë, gjë që ndodh edhe në kampionat, pra në Kategorinë Superiore. Kështu, dje nuk pati asnjë surprizë në pesë ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë. Të gjitha skuadrat e Superiores, pretendente për ta fituar këtë trofe, kanë marrë rezultate të mira në sfidat në udhëtim. Pra, të gjitha ekipet udhëtuese kanë arritur të fitojnë, që do të thotë se në sfidat e kthimit nuk pritet të ndodhë ndonjë befasi. Kështu, Vllaznia mposhti 0-2 Bylisin, Kastrioi 1-3 Dinamon e më të njëjtën rezultat Partizani iu imponua Korabit e Laçi Tomorit. Fitoren më të thellë e shënoi Tirana, 0-3 në fushën e Lushnjës. Siç shihet nga rezultatet, tri skuadrat kryesore të Superiores këtë sezon, po dominojnë edhe në Kupë, duke dëshmuar se ato po bëjnë garë në të dy frontet, me ambicie për të fituar të dy trofetë sezonalë. Fitorja e Partizanit dje në Dibër nuk ishte aq e lehtë, pasi pati dhe momente tensioni. Nga ana tjetër, në atë takim, Alban Hoxha është kthyer përsëri titullar te Partizani, duke luajtur në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Korabit. Ashtu si në derbi, kjo përkoi me një fitore të të kuqve, me portierin i cili bëri disa pritje në suksesin 3-1 të skuadrës së tij në transfertë. Një moment qesharak nga ndeshja ishte hyrja në fushë e një qenushi, por që portieri i Partizanit e nxori jashtë saj me kujdes. Në këtë ndeshje, dibrani Xhuliano Skuka shënoi 2 nga 3 golat e fitores së Partizanit. Fitorja në Dibër i ndihmon të kuqtë për duelin e kthimit. Siç dihet, duelet e kthimit të këtij raundi do të luhen më 2 shkurt.
Sot tri ndeshje të tjera të Kupës
Kupa e Shqipërisë do të luajë sot tri ndeshjet e mbetura të raundit të 1/8 të finales. Nuk ka ndeshje të mëdha sa u përket emrave, por ka ndeshje interesante në aspektin e rivalitetit. Kështu, Erzeni do të përplaste me Teutën, një lloj derbi në qarkun e Durrësit. Egnatia, skuadër e Superiores, do të ketë punë me Skënderbeun që luan në Kategorinë e Parë. Favoritë këtë herë shihen rrogozhinasit, që kanë bërë edhe blerje në merkato për të rritur forcën e tyre. Ndeshja tjetër që luhet sot në mesditë është dhe ajo mes Apolonisë dhe Kukësit. Fierakët në Kategorinë e Parë nuk kanë shprehur ndonjë potencial që duhet marrë në konsideratë, kurse verilindorët, të dështuar deri tani në Superiore, e duan kupën si shans për të shkuar në Europë, ndaj dhe do ta vlerësojnë maksimalisht duelin e sotëm.
Faza 1/8, takimet e para
Të martën
Bylis – Vllaznia 0-2
Dinamo – Kastrioti 1-3
Korabi – Partizani 1-3
Lushnja – Tirana 0-3
Tomori – Laçi 1-3
Të mërkurën
Skënderbeu – Egnatia
Erzeni – Teuta
Apolonia – Kukësi